Izraeli sot (e shtunë, 20 shtator) ka lënë të vdekur edhe 34 palestinezë, ndërsa ka vazhduar fushatën ushtarake në Qytetin e Gazës, sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës.
Ky sulm i ri mbi palestinezët ka ndodhur vetëm dy ditë nga kur shumë shtete perëndimore, përfshirë Francën e Britaninë, kanë premtuar se do ta njohin shtetësinë e Palestinës në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), të hënën në New York.
Sulmet e Izraelit, që kanë vazhduar tash e sa ditë e janë intensifikuar në javën e fundit, kanë demoluar mbi 20 blloqe ndërtesash në Qytetin e Gazës, duke shkaktuar kështu evakuimin e mbi 350 mijë palestinezëve vetëm nga fillimi i shtatorit, sipas ushtrisë izraelite.
Mbi 600 mijë palestinezë të tjerë vazhdojnë të jetojnë në qytetin që po sulmohet për ditë e më shumë.