Largimi i Liburn Aliut nuk është një dorëheqje e zakonshme. Ai është themelues dhe njeri që e ka ndërtuar Vetëvendosjen gur për gur, që ka qenë në rrugë, në parlament, në qeveri – gjithmonë në ballë. E tash? Ai ia përplasi derën në fytyrë Albin Kurtit dhe doli pa e kthyer kokën. Se a ishte Dimal Basha arsyeja apo preteksti nuk ka rëndësi.
Dhe ky nuk është rast i parë. Kemi parë të njëjtin film me Dardan Molliqajn, Visar Ymerin, Aida Dërgutin, Shpend Ahmetin, Dardan Sejdiun, Florin Krasniqin. Emra me peshë, aktivistë të dalluar – njëri pas tjetrit, të gjithë kanë ikur. Madje, sipas rrëfimeve të vetë këtyre protagonistëve, Kurti kishte propozuar edhe largimin e tyre nga Kosova për një periudhë të caktuar. Faktikisht, një formë moderne e internimit.
Tash VV-ja është një parti që vlon nga servilët, nga lajkatarët që përplasen me bërryla për të qenë më afër liderit. Ky është rregulli i artë i autoritarëve: ose nënshtrimi, ose përjashtimi. Nuk ka rrugë të mesme. Ose bëhesh vegël, ose shpallesh armik. Shikoni shembujt në histori – nga Stalini te Enver Hoxha, nga diktatorët latinë te autokratët e sotëm: sa më shumë rritet fuqia e liderit, aq më i ngushtë bëhet rrethi i tij.
E shokët? Shokët zhduken. Ashtu si shokët e Enver Hoxhës dhe diktatorit çek Vladimir Clementis që zhdukeshin edhe nga politika, edhe nga fotografitë. Sepse virtyti miqësisë i bazuar në parimin e barazisë vëllazërore shihet si kërcënim, besnikëria matet me servilizëm, dhe kush nuk kërruset – përjashtohet.
E njëjta gjë ndodh sot në Vetëvendosje. Shihni Hekuran Muratin, Besnik Bislimin, Albulena Haxhiun – njerëz të gatshëm të sakrifikojnë atë pak reputacion për të mbrojtur udhëheqësin në marrëzinë e tij. Albulena Haxhiu është rast për studim. Ajo me plot krenari veshi helmetën e kamikazes politike dhe derisa personaliteti i saj u bë shkrumb e hi nuk u ndal.
E Dimal Basha? Fati dhe fatkeqësia e tij është se ka përvetësuar deri në ekstrem artin e nënshtrimit. Serviliteti ia solli postin e kryetarit. Serviliteti i dha turpin publik.
Sidoqoftë, pyetja e vërtetë nuk është pse iku Liburn Aliu. Pyetja është: kush do të ikë nesër? Sepse tek partitë autoritare, ky nuk është aksident, është model. Dhe fundi është gjithmonë i njëjtë: lideri mbetet vetëm, i rrethuar jo nga shokët, por nga zbrazëtira dhe paranoja e cila zbutet vetëm përmes eliminimeve të kohëpaskohshme.








