Anëtarja e Këshillit të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, tha se kërkesa e tyre drejtuar Lëvizjes Vetëvendosje është që posti i Presidentit t’i takojë LDK-së.
Lushaku-Sadriu i bëri këto deklarata para mbledhjes së Grupit Parlamentar të LDK-së, një ditë para seancës konstituive të Kuvendit.
“Ju e dini që LDK-ja gjithmonë ka thënë se institucionet kryesore të vendit duhet të sigurojnë një balancë ndërmjet fuqisë politike të partive politike. Pra, edhe në këtë kuptim, kërkesa jonë është që posti i Presidentit t’i takojë LDK-së”, tha ajo.
Ndër të tjera, ajo tha se pushteti duhet të ndahet në mënyrë proporcionale.
“Në kuptimin që të diskutojmë së bashku për të gjithë pushtetin dhe pastaj të bëhet ndarja në mënyrë proporcionale”, u shpreh Lushaku-Sadriu.
Dje u takuan kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Pas takimit, ata deklaruan se nuk kanë arritur një marrëveshje politike.









