Ish-Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se logjika me të cilën po funksionon Vetëvendosje dhe Kryetari i saj, Albin Kurti, në raport me kapjen e pozitave kyçe në shtet, është “logjikë e regjimit”. Sipas Haradinajt, kreu i VV-së po kërkon “ta poshtërojë opozitën”.
“Kurti po i kërkon të gjitha pozitat për vete. Në njëfarë mënyrë po synon me e poshtëru opozitën duke ofru vetëm përfitime të pushtetit. Pra vetëm pjesëmarrje në Qeverisje. Kjo është logjikë e regjimit. Udhëheqësit e regjimeve totalitare frikësohen nga bashkëvendimmarrja. Ose, nga ndarja e vendimmarrjes”, thotë Haradinaj.
“Për me e thjeshtësu edhe ma shumë, nga dy postet e para, në këtë rast Kryeministri që është posti kryesor, sepse udhëheq Qeverinë, dhe Presidenti, njëri nga të dy postet në bazë të rezultatit zgjedhor i takon opozitës. Ai që ka fitu zgjedhjet nëse ka logjikë demokratike e lexon kështu rezultatin e zgjedhjeve. E lexon kështu sepse është i tillë. Nëse ka logjikë regjimi e që në fakt kjo logjikë po ndodh me Kurtin, ai nuk dëshiron vendimmarrje të përbashkët”, shton Haradinaj.
Gjatë së martës së 4 gushtit, në Kuvendin e Kosovës u takuan Kryetari i VV-së, Albin Kurti dhe ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Aty munguan Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës të cilat refuzuan ftesën e VV-së.








