Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, ka zgjedhur Gadi Eisenkotin, rivalin kryesor të kryeministrit Benjamin Netanyahu, për të formuar qeverinë e re, pas zgjedhjeve të 27 tetorit, të cilat nuk prodhuan shumicë parlamentare për asnjërin kamp.
Zyra e presidentit Herzog bëri të ditur të shtunën mbrëma se ai e kishte njoftuar liderin e partisë Yashar për synimin që t’ia besojë mandatin për formimin e qeverisë. Emërimi zyrtar pritet të bëhet të dielën, në një ceremoni në rezidencën presidenciale në Jerusalem, raporton The Guardian.
Në zgjedhjet e fundit, blloku i gjerë opozitar i udhëhequr nga Eisenkot siguroi 48 nga 120 ulëset në parlamentin izraelit, ndërsa kampi i Netanyahut mori 53 ulëse. Kështu, asnjëri nuk arriti të sigurojë shumicën e nevojshme për të qeverisur.
Eisenkot, 66-vjeçar, mori mbështetjen edhe të dy listave me shumicë arabe gjatë konsultimeve me presidentin, të cilat mund të luajnë rol vendimtar në formimin e qeverisë. Megjithatë, ende nuk dihet nëse opozita do ta pranojë këtë mbështetje për krijimin e koalicionit.
Nëse arrin të sigurojë shumicën parlamentare, Eisenkot do ta zëvendësojë Netanyahun në postin e kryeministrit, duke i dhënë fund qeverisjes së tij.
Eisenkot ka qenë shef i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë izraelite nga viti 2015 deri më 2019. Ai është zotuar të ndërmarrë masa ndaj kolonëve ekstremistë izraelitë në Bregun Perëndimor, duke i cilësuar sulmet e tyre ndaj palestinezëve si “terrorizëm hebre”, të mundësuar nga qeveria e Netanyahut.
Megjithatë, qëndrimet e tij nuk përfshijnë mbështetjen për krijimin e një shteti palestinez. Ai është zotuar gjithashtu t’i japë fund sundimit të Hamasit në Gaza dhe të shkatërrojë krahun e tij ushtarak.
Gjatë karrierës ushtarake, Eisenkot ishte në krye të ushtrisë izraelite gjatë luftës së vitit 2006 kundër Hezbollahut, ndërsa hartoi edhe të ashtuquajturën “Doktrina Dahiya”, që parashihte përdorimin e forcës masive kundër infrastrukturës në zonat e kontrolluara nga kjo lëvizje libaneze.
Formimi i qeverisë së re mbetet i pasigurt, ndërsa zhvillimet politike në SHBA, përfshirë rezultatet e zgjedhjeve të mesmandatit, mund të ndikojnë në bashkimin e koalicionit kundër Netanyahut.









