80% e pozitave në agjencitë kryesore qeveritare janë me ushtrues detyre.

Këtë e konfirmon edhe vetë Qeveria në Planin e saj të Veprimit 2025–2027 për Administratën Publike.

Shumica e këtyre ushtruesve të detyrës janë aty që 3 ose 4 vjet.

Por ligji është i qartë: neni 35 thotë se ushtruesi emërohet përkohësisht, deri në zgjedhjen e një drejtuesi me mandat të rregullt.

Para pak ditësh, në një vendim që nuk mori bujën e merituar, Gjykata Supreme konstatoi se: çdo vendim nga një ushtrues që ka kaluar më shumë se 12 muaj në atë pozitë është i paligjshëm.

Pra, një pjesë e madhe e shtetit funksionon në paligjshmëri.

Në praktikë, ushtruesit e detyrës nuk kanë mbrojtje të rregullt ligjore dhe mund të emërohen dhe shkarkohen me një e-mail.

Me fjalë të tjera, për një parti të obsesionuar me kontroll, ushtruesi i detyrës është figura e përsosur për të vendosur diktat.

Ushtruesi i detyrës bëhet vegël që kryen me përpikëri detyrat e partisë.

Ai pranon të bëhet piun. Autonomia zëvendësohet me frikë, integriteti me nënshtrim dhe dinjiteti me servilizëm.

Ky është rrezik sistemik.

Sepse ata që nuk mund të vendosin as për veten, do të vendosin për gjithë vendin.

Po ku janë këta ushtrues detyre?

Ata i gjejmë kudo në Qeveri. Në Zyrën e Kryeministrit, në Ministrinë e Drejtësisë, në Ministrinë e Financave, në Ministrinë e Brendshme, në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Bujqësisë,  Ministrinë e Arsimit, Ministrinë e Kulturës dhe Ministrinë e Ekonomisë.

Siç shihet, ushtruesi i detyrës jo vetëm që nuk është përjashtim – por është më shumë se rregull.

Është skemë, dizajn dhe inxhiniering partiak për kapjen e shtetit.

Raporti i Progresit që Bashkimi Evropian e përgatit çdo vit për Kosovën, theksoi se funksionimi i shtetit po pengohet nga kjo praktikë me ushtrues detyre.

Kësisoj, vendimi i Supremes është një mundësi e mirë për të anuluar vendimet e paligjshme që janë marrë nga dhjetëra ushtrues detyre në Qeverinë Kurti.

Por, në vend që ta ndalojë këtë model, Qeveria e ka shkelur pedalen e gazit për ta zbatuar edhe më shumë këtë praktikë, duke e çuar vendin shpejt dhe furishëm drejt kolapsit administrativ.

Përmes ndryshimeve të fundit të Ligjit për Zyrtarë Publikë, ushtruesit e detyrës mund të menaxhojnë deri në dy vjet.

Kjo, pavarësisht paralajmërimit të Zyrës së BE-së që tha se një praktikë e tillë është e rrezikshme dhe duhet shmangur.

Kështu, sloganet e Kurtit për shtet të së drejtës, rend dhe ligj e meritokraci mbeten vetëm slogane. Fjalë boshe, ku kuptimi i tyre është krejt i kundërt me atë që bën Vetëvendosje.

E me pak tolerancë dhe pasivitet nga shoqëria, Vetëvendosje mund ta shndërrojë këtë pozitë të përkohshme në një rend ku e vetmja gjë e përhershme është partia – dhe lideri i saj.