Buron Ademi, nipi i deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Agim Bahtiri, është rehatuar në Ministrinë e Bujqësisë që udhëhiqet nga Armend Muja.

Në faqen zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, Buron Ademi, figuron si asistent i Ministrit Muja.

VOX Kosova tentoi që të marrë një përgjigje nga Muja, por ai nuk iu përgjigj thirrjeve dhe mesazheve të redaksisë.

VOX-i provoi që të marrë një përgjigje edhe nga deputeti Bahtiri, mirëpo ai sapo e dëgjoi pyetjen e ndali telefonin.

Buron Ademi ka qenë edhe kandidat i Vetëvendosjes për Asamblenë Komunale të Vushtrrisë. Ai e kishte pasur mbështetjen e vazhdueshme të dajës së tij.

“Sot, së bashku me mikun tim Glauk Konjufca, i dhamë mbështetje të përzemërt nipit tim (djalit të motrës), Buron Ademi, i cili është kandidat me numër 29 nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, për Asamblenë Komunale të Vushtrrisë”, shkruante Bahtiri më 21 shtator 2025 në Facebook.

Lëvizja Vetëvendosje, përkatësisht Kryeministri Albin Kurti, sa ishte në opozitë, thoshte se familjarët janë për dasma, ndërsa me ardhjen në pushtet, një pjesë e madhe e familjarëve të zyrtarëve të lartë të VV-së janë punësuar nëpër institucione publike.