E Ngarkuara me Punë nga SHBA-të në Kosovë, Anu Prattipati, ka mbajtur sërish një takim, për herë të dytë brenda muajit, me Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.

Kësaj here thanë se diskutuan që bashkëpunimin e tyre të suksesshëm ta vazhdojnë edhe më tej.

Njoftimi i Ambasadës së SHBA-së:

“Dje, e Ngarkuara me Punë, Anu Prattipati, u takua me Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Blerim Isufaj, për të diskutuar vazhdimin e bashkëpunimit tonë të suksesshëm me PSRK-në në luftën kundër kërcënimeve ndaj sigurisë kombëtare të SHBA-së, si terrorizmi, trafikimi i drogës dhe migrantëve, krimet kibernetike dhe organizatat kriminale transnacionale”.

Kujtojmë që në mbledhjen e fundit raportuese të Isufajt përballë Këshillit Prokurorial të Kosovës, ai u kritikua ashpër nga anëtarët, duke thënë se, ndonëse nuk ka raporte, kanë përshtypjen që Prokuroria Speciale e ka performancën më të dobët.

Po ashtu, në Qeverinë Kurti, sidomos në atë Kurti II, ai është sulmuar vazhdimisht nga Albin Kurti dhe vartësit e tij.

“Pikërisht ky prokuror dëshiron të bëhet kryeprokuror përkundër vullnetit të Presidentes së Republikës, të Kryeparlamentarit të Kosovës dhe të Kryeministrit të Qeverisë”, kishte deklaruar Albin Kurti për kandidaturën e Blerim Isufajt për Kryeprokuror.

Madje, ata nuk e dekretuan si Kryeprokuror të Shtetit për gati 4 vite, kështu për të filluar një proces pa u mbyllur parapraku në momentin që Albulena Haxhiu e mori pozitën e U.D. Presidentes.

“Këshilli Prokurorial sa më parë duhet të shpallë konkursin, por duhet të sigurohet që procesi të mos jetë i komprometuar, siç ka ndodhur në të kaluarën, sepse asnjëherë nuk do të dekretohen personat që kalojnë përmes proceseve të komprometuara apo të përgatitura paraprakisht”, tha Albulena Haxhiu – U.D. Presidente e Kosovës.