Rinia e Partisë Demokratike të Kosovës (RDK), ka zhvilluar të shtunën një aksion simbolik para ndërtesës së Qeverisë, të cilën e kanë rrethuar me shirit të rrezikshmërisë, për të ngritur, siç thanë ata, shqetësimin për “shkeljen e Kushtetutës” Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Ata kanë thënë se “pushteti pengmarrës i deputetit Albin Kurti dhe LVV-së po e rrezikon demokracinë dhe shtetin”.

Altin Gjata, Sekretar Organizativ i RDK-së, deklaroi se shiriti i vendosur është “alarm për një mënyrë qeverisjeje që po largohet prej rendit kushtetues, normave ligjore dhe përgjegjësisë institucionale”.

“Shiritin e rrezikshmërisë po e vendosim aty ku e ka vendin, në një zonë ku çdo ditë po kryhet një krim ndaj Republikës së Kosovës. Dhe nuk bëhet fjalë për çfarëdo krimi, por për një nga shkeljet më të rënda që mund t’i bëhet shtetit tonë: shkeljen e Kushtetutës dhe rrezikimin e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, tha Gjata për gazetarë.

“Mesazhi ynë është i qartë: asnjë individ, asnjë grup dhe asnjë parti politike nuk është dhe nuk do të jetë kurrë mbi Republikën e Kosovës. Sepse një pushtet pengmarrës që del jashtë kufijve kushtetues është rrezik për secilin qytetar dhe për vetë shtetin”, shtoi.

Të rinjtë e PDK-së para Qeverisë.

Kur institucionet, sipas tij, “i nënshtrohen vullnetit të një grupi partiak me mendësi uzurpuese, në shpërputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, demokracia vihet në rrezik dhe shteti rrëshqet drejt anarkisë”, tha ai”.

Që disa ditë, PDK është duke zhvilluar aksione para Qeverisë. Në orët e para të mëngjesit, grupi parlamentar i PDK-së dhe aktivistë të tjerë, grumbullohen para hyrjes së ekzekutivit. Ata po e quajnë Kurtin “uzurpator”.

PDK ka thënë se me kalimin e afatit 30 ditor për konstituimin e Kuvendit të dalur nga zgjedhjet e 7 qershorit, Kurti dhe VV-ja e kanë “cenuar rendin kushtetues”.

Ata po kërkojnë që sa më parë të konstituohet Kuvendi.

PDK ka dorëzuar edhe dy kallëzime penale në Prokurorinë Speciale. Një ndaj Kurtit dhe deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje të cilët mbajnë funksione të dyfishta, edhe atë të ministrit dhe atë të deputetit, dhe tjetrën ndaj kryesuesit të seancës kosntituive, Avni Dehari, “për shpërdorim të detyrës zyrtare”.