“Hysni Mehani u sulmua me grushte dhe u godit në kokë me gotë teksa po pinte kafe me deputeten Arjeta Fejza dhe aktivistë të tjerë. Qeveria e Kosovës e dënon këtë sulm qyqar dhe të papranueshëm që shpërfaqë mendësinë banditeske”.

Dikur arkitekt i politikës së dhunës, që i shndërronte seancat parlamentare në skena terrori, tymoste rrugët me gaz lotsjellës.

Organizonte djegien e shtëpive dhe vetura të politikanëve.

E sulmonte fizikisht kundërshtarët politikë, Albin Kurti tash me pushtet të fituar përmes flakës së molotovit e helmit të bombolave të gazit, mban ligjërata për rendin e demokracinë.

Jo veç ai, edhe shumë anëtarë të Vetëvendosjes u aktivizuan me 14 maj të dënonin incidentin në Skenderaj mes kryetarit të Komunës atje e zëvendës-ministrit të Financave, me deklarime se dhuna s’ka vend në politikë.

Por, s’mund të ishte më ironike që këtë dhunë e dënonin anëtarë të një partie që në vitin 2016 sulmuan me zollë Kuvendin e Kosovës, vandalizuan Stacionin e Policisë për ta liruar me dhunë liderin e tyre, i cili më pas do t’i urdhëronte ta godasin me molotov shtëpinë e Kryeministrit Isa Mustafa, derisa vetë ishte kujdesur ta shënjëstrojë në fytyrë me sprej për sy.

Ata dogjën veturën familjare të Ministrit Memli Krasniqi, atë të zëvendësministrit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, kishin goditur me molotov shtëpinë e Kryeredaktorit të RTK-së, Mefail Limani dhe hedhur bombë në shtëpinë e atëherë drejtorit të RTK-së, Mentor Shala.

Dhunuesit e Vetëvendosjes do dizajnonin edhe një lloji tjetër të sulmit mbi politikanë të atëhershëm – goditje me vezë në hapësira publike.

Kishin gjuajtur me vezë Ministrin e Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, zëvendësministrin e Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, Ministrin e Drejtësisë, Hajredin Kuçi, atë të Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, deputetin e PDK-së, Xhavit Halitin e më vonë edhe ish-deputetin e tyre Fisnik Ismaili.

Për të mos mjaftuar vetë akti, Vetëvendosje i shpërndante sa më masivisht aksionet e dhunshme duke synuar edhe degradim moral për të sulmuarit.

E çuditshme ishte se atë botë, ky grup vandalësh e pretendonte vetën si një organizim politik progresist, derisa Albin Kurti mbahej për një udhëheqës intelektualisht të kulluar.

Edhe pse shpjegimet për veprimet e tyre i kishte thellësisht primitive.

Paradoksalisht, Kurti anti-institucionalizimin e tij e ka konsumuar edhe si zyrtar shteti.

Ai ka thirrje të hapur për të dëshmuar në prokurori në rastin e aferës së rezervave shtetërore, por nuk shkon.

“Une guxoj mos me shku…”

I sfidon prokurorët.

“A guxojnë ata me ardhë…”

Dhe e ka drejtuar partinë e vet në rreth 20 shkelje kushtetues.

Por, si dikush që e nënkupton vetën si përjashtim i privilegjuar, ai mbetet kundërthënia më e madhe që ka prodhuar politika shqiptare ndonjëherë, kur brenda të njëjtës fjali edhe bën thirrje për dënim dhune edhe inicion dhunë sistematike.