Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se skenat në Skenderaj me praninë e forcave speciale në ditën që atje u shënua një incident mes Kryetarit, Sami Lushtaku, dhe shefit të VV-së atje, Hysni Mehani, ishin “si gjendje lufte” dhe tentativë e pushtetit “për shfaqje force”. Sipas Ramës, ky mentalitet i pushtetit, tregon mendësi “të sëmurë” të Kryeministrit, Albin Kurti.
“Ka mënyra të ndryshme se si mundesh me e ftu. Vetë kryeministri nuk ju ka përgjigj pyetjeve në njërën anë, thotë hajde Prokurori hajde, ejani ju merrëmni mu nëse guxoni. D.m.th e ka një sjellje të sëmurë, një mendësi të sëmurë që vazhdimisht kërkon të krijojë kriza, sepse këtë shet ky kryeministër me këtë Qeveri”, tha Rama në T7.
“Ky shet kriza, ky shet frikë. Edhe nëpërmjet frikës, edhe e kontrollon shtetin edhe tash nuk i dalin boll 51 për qind. D.m.th do me i ba 60 për qind. Do me i ba 70 për qind”, shtoi.
Më 14 maj në Skenderaj, u shënua një incident mes Kryetarit të Komunës, Sami Lushtaku dhe kryetarit të degës së Vetëvendosjes, Hysni Mehani. Ky i fundit, pas një përleshje që supozohet se ndodhi atje, përfundoi duke kërkuar ndihmë mjekësore. Mesnatën mes 14 e 15 majit, Skenderaj u mbush me Njësi Speciale të Policisë së Kosovës gjersa ditën e 15 majit, Lushtaku u intervistua në polici.









