Deputeti tashmë i zgjedhur i Aleancës, Bekë Berisha, ka komentuar deklaratën skandaloze të tashmë të ndaluarit në Kuvendin e Kosovës, ku tha se “Ramush Haradinaj duhet të pushkatohet”.
Ai e ka një shpjegim të detajshëm që shkon deri te Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene, të cilën e lidh me platformat e Vetëvendosjes.
“Po flasim për një platformë armiqësore, e cila ka krijuar përçarje në popull. Na e dimë kush jemi. Nuk ndihemi keq. Edhe e dimë që ekziston një mentalitet i tillë i njerëzve të Partisë Komuniste, të njerëzve që kanë jetuar mirë në një situatë tjetër, ose të asaj të Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, të Jugosllavisë, që ka qenë bashkim-vëllazërim. Pastaj, edhe kësaj pjesës millosheviçiane. Aty ka pasur gjithherë njerëz që kanë qenë në bashkëpunim, ose në funksion të armikut. Edhe kryesisht janë sulmuar familjet që kanë bërë rezistencë. Që e kanë dashur me e mbërritur me sakrificë shumë të madhe lirinë e Kosovës, këtë që e kemi bërë sot. Tash ata janë shfaqur. Përfaqësuesi i tyre më dinjitoz është Albin Kurti”, tha Bekë Berisha në një intervistë për VOX Kosova.
Ndër të tjera, Berisha thotë se mbrapa këtij narracioni, përpos Albin Kurtit, qëndron edhe inteligjenca.
“Inteligjenca është e kapur”, deklaron Berisha.
“E para, duhet me u kthyer qysh në zanafillën, qysh ka ardhur deri te kjo situatë, që njeriu që ka dhënë gjithçka për atdheun me u krahasuar me serbët, sikur armik. Kjo është një platformë të cilën Vetëvendosja e ka krijuar. Edhe i keni dëgjuar ato, domethënë “Lule Gjeli”, edhe “Alba Murtezi”. Janë do farë dritare, të cilat nuk janë individë. Ato janë platforma, të cilat, mbrapa saj, kanë një bord, apo një komision të njerëzve, të cilët përhapin propagandë edhe krijojnë narracione. Me e këqyr kështu, me e studiu, është goxha mendje gjeniale ajo që e ka bërë, sepse këtu janë investuar shumë para. Domethënë, kjo merr shumë fonde. Fatkeqësia është këtu se inteligjenca është e kapur, domethënë, edhe është ndihmesë për këtë platformë. Këtu nuk është një “Lule Gjeli”, një “Taulanti”, apo një Gent Prokshi, po këtu është një dritare ku plasohen narracione edhe dezinformata, edhe krijohen narracione prej një bordi. Aty mundet me postuar edhe Albin Kurti. Mundet me postuar edhe Dejona Mihali. Munden me postuar edhe ata që i plasojnë këto gjëra. Që i kontrollojnë këto. Domethënë, kjo është 24/7 në funksion të propagandimit. Edhe tash jemi ardhur në këtë situatën që po e shohim tash”, shtoi Berisha.








