Një muaj pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, Kosova vazhdon të jetë pa asnjë sinjal serioz se kur do t’i krijojë institucionet e reja. Rezultatet tashmë dihen dhe pritet vetëm certifikimi i tyre, por në vend të negociatave e kontakteve politike, skena politike është zhytur në pasivitet. Paradoksi është se vendi shkoi në zgjedhje pikërisht për shkak të një ngërçi institucional, ndërsa sot askush nuk duket se po nxiton ta zgjidhë atë.
Albin Kurti, lideri i partisë fituese, Lëvizjes Vetëvendosje, po e shijon bregdetin grek me bashkëshorten e tij, ku është duke marrë pjesë në Simpoziumin e Symit, pjesë e të cilit është çdo vit.
Nga ana tjetër, Partia Demokratike e Kosovës pothuajse është zhdukur nga debati publik. Figurat kryesore të saj, përfshirë kryetarin Bedri Hamza, kanë reduktuar në minimum paraqitjet publike dhe nuk po artikulojnë qëndrime për çështjet kryesore politike në vend.
Hiç më mirë situata nuk paraqitet as në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Në këtë parti, aktualisht fokusi është te përplasja e brendshme, ku një pjesë e anëtarëve janë revoltuar ndaj Kryetarit Lumir Abdixhiku, duke mbledhur edhe nënshkrimet për shkarkimin e tij për shkak të rezultatit që LDK-ja mori më 7 qershor. Nga ana tjetër, inferioritet i plotë për çështjet e tjera politike, duke përfshirë krijimin e institucioneve.
E vetmja që ka pasur propozime konkrete dhe është ofruar për të ndihmuar në krijimin e institucioneve është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Kryetari i saj, Ardian Gjini, ka thënë se pa synuar asnjë post në Qeverinë e ardhshme, janë të gatshëm të zhbllokojnë ngërçin institucional. Por, për ta bërë këtë, AAK-ja ka paraqitur 6 kushte – pranimi i menjëhershëm i projektit të gazit amerikan njëra ndër to.
Ironia është se Kosova nuk shkoi në zgjedhje të jashtëzakonshme për shkak të një krize qeveritare apo rrëzimit të Qeverisë, por sepse deputetët e legjislaturës së kaluar nuk arritën ta zgjedhin Presidentin e ri të vendit, pasi Vjosa Osmanit i përfundoi mandati pesëvjeçar. Me fjalë të tjera, zgjedhjet u organizuan për ta zgjidhur një ngërç institucional, ndërsa një muaj pas votimit nuk ka pothuajse asnjë shenjë se partitë më të mëdha po punojnë për ta shmangur përsëritjen e tij.
Nga Lëvizja Vetëvendosje kanë deklaruar se i kanë votat për formimin e Qeverisë, ndërsa për zgjedhjen e Presidentit kanë thënë se do angazhohen për arritjen e konsensusit.
“Sa i përket Qeverisë, ne i kemi votat e nevojshme. Prandaj, menjëherë pas konstituimit të Kuvendit pa humbur kohë duhet të vazhdojmë me procedurën për votimin e Qeverisë, ndërsa brenda afateve kushtetuese do të angazhohemi edhe për arritjen e konsensusit rreth zgjedhjes së presidentit/es”, deklaroi ish-Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Arbërie Nagavci, për Radion Evropa e Lirë.
Megjithatë, nga këto deklarata deri më tani nuk është parë asnjë veprim konkret. Nuk është bërë publike asnjë ftesë për takim me partitë opozitare dhe as nuk ka indikacione se kanë nisur bisedimet për çështjen e Presidentit, ndonëse pa votat e opozitës zgjedhja e tij është praktikisht e pamundur.
Sa herë është pyetur për krijimin e institucioneve, Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka dhënë të njëjtën përgjigje.
“Së pari duhet ta presim certifikimin e rezultateve. Certifikimi i rezultateve duhet të presë trajtimin e ankesave, e më pas, pa humbur kohë, do t’i kemi komunikimet dhe diskutimet e nevojshme”, është shprehur ai.
Në zgjedhjet e 7 qershorit, Lëvizja Vetëvendosje fitoi 53 deputetë. Partia Demokratike e Kosovës siguroi 22 mandate, Lidhja Demokratike e Kosovës 18, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 7.
Me mbështetjen e deputetëve të komuniteteve joshumicë joserbe, Vetëvendosje mund ta formojë Qeverinë, pasi nevojiten 61 vota. Por, zgjedhja e Presidentit është një histori krejt tjetër. Për këtë proces kërkohet pjesëmarrja e të paktën 80 deputetëve në votim, çka e bën të domosdoshëm një marrëveshje politike me partitë e tjera.
Deri më tani, megjithatë, nuk ekziston asnjë sinjal publik se një marrëveshje e tillë ka nisur të ndërtohet. Përkundrazi, një muaj pas zgjedhjeve, politika kosovare duket më shumë e zënë me pushime, heshtje apo probleme të brendshme sesa me krijimin e institucioneve që ishin arsyeja kryesore pse vendi u rikthye në kutitë e votimit.









