Kryetari i sapozgjedhur i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, në një punim akademik, i publikuar më 22 gusht 2012, shkruante se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), bashkëpunoi me kriminelë brenda dhe jashtë Kosovës.
“Ka pasur akuza të shumta nga agjencitë perëndimore të zbatimit të ligjit se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), gjatë ngritjes së saj, bashkëpunoi me kriminelë shqiptarë etnikë brenda dhe jashtë Kosovës”, shkruante Basha në këtë punim.
Nuk përfundon me kaq. Basha shkruante se “fondet për UÇK-në vinin nga shqiptarë të zakonshëm në diasporë, si dhe nga trafikantë droge që vepronin në të gjithë Evropën Perëndimore dhe SHBA-në”.
“Kjo mbështetje nuk kufizohej vetëm në para, por trafikantët e drogës dërgonin gjithashtu njerëz të armatosur për të luftuar përkrah UÇK-së dhe blinin armë në emër të UÇK-së”.
“Ndërsa lidhja midis UÇK-së dhe krimit të organizuar është e vështirë të përcaktohet në mënyrë sasiore, ka raste gjyqësore të njohura nga Gjermania, Italia, Belgjika dhe Republika Çeke, të cilat sugjerojnë fuqimisht një lidhje midis trafikantëve të drogës dhe UÇK-së”.
Aty thuhet se në Belgjikë, “i ashtuquajturi ‘bosi i mafias shqiptare’ VH la plumba para dyerve të njerëzve të diasporës shqiptare si një rikujtim që taksat ‘vullnetare’ që ata duheshin t’i paguanin në mbështetje të qeverisë nën hije dhe UÇK-së nuk ishin vërtetë ‘vullnetare’”.
Basha pretendon se mbijetesa e UÇK-së “varej nga financimi që merrte nga banditët patriotikë që operonin përtej kufijve”, derisa inkriminohet edhe ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti.
“Taksat e ashtuquajtura vullnetare dërgoheshin në organizata humanitare si Vendlindja Thërret. Xhavit Haliti ishte shefi i logjistikës për UÇK-në dhe nga viti 2011 ishte një parlamentar i lartë në radhët e PDK-së në Kosovë. Bazuar në një raport të KFOR-it, Haliti drejtonte fondin Vendlindja Thërret dhe kur financimi u tha, ‘u kthye në krim të organizuar në një masë të madhe’”, potenconte Basha.