Dy punëtorë të Minierës së Trepçës u lënduan të shtunën në vendin e punës në horizontin e 10-të, gjatë fryrjes së gomës së një kamioni, e cila shpërtheu dhe u shkaktoi lëndime serioze në sy.
Kur njoftoi për këtë rast, Menaxhmenti i Trepçës tha se të lënduarit: Erson Rrustemi dhe Përparim Beqiri janë dërguar në spitalin regjional në Mitrovicë dhe pas trajtimit mjekësor janë liruar në shtëpi.
Por, kjo është e pavërtetë.
Dy të lënduarit janë duke qëndruar ende në spital duke marrë trajtimin shëndetësor.
VOX Kosova ishte në Spitalin e Mitrovicës ku pa pacientët, por nuk u lejua që të marrë pamje.
Se janë në spital dhe që do të qëndrojnë ende derisa t’iu përmirësohet gjendja, e konfirmoi edhe doktori, Avni Salihu.
VOX Kosova ishte edhe në Minierën e Trepçës, por Kryeshefi i kësaj ndërmarrje Faton Ahmeti, nuk pranoi që të deklarohej. Ai as nuk iu përgjigj thirrjeve e mesazheve të redaksisë. E as nuk shpjegoi përse kanë gënjyer për gjendjen dhe vendndodhjen e punëtorëve të lënduar.








