Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka reaguar pas publikimit të audio-incizimeve nga Vox Kosova, në të cilat dëgjohet kryetari i Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, duke folur për punësime në KEK me ndikimin e pretenduar të kryeministrit Albin Kurti.

Lushaku-Sadriu ka kritikuar premtimet e Kurtit për meritokraci, duke thënë se ato kanë mbetur vetëm në fjalime, ndërsa punësimet, sipas saj, janë bërë për militantë partiakë.

“Meritokracia veç në fjalime, militantët në punësime!”, ka shkruar ajo.

Ajo ka thënë se audio-incizimi i publikuar ka nxjerrë në pah, sipas saj, kontrastin mes premtimeve të Kurtit për një shtet të barabartë dhe praktikave të punësimit.

“Familjarët për dasma, thoshte! Kurse raportimet për punësimet treguan që punësimet i ka veç për militantë partiakë!”, ka shkruar Lushaku-Sadriu.

Në reagimin e saj, ajo e ka cilësuar vitin 2026 si “hipokrizinë e realitetit të jetës në vendin tonë”.