Janina Ymeri, deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës, pas publikimit të incizimit në VOX Kosova të Kryetarit të Obiliqit, Halil Thaçi, ka thënë se në vitin 2025, vit ky elektoral, janë punësuar në Korporatën Energjetike plot 777 punëtorë të rinj.
“Numër llotoje, për fitore të mëdha nga ku është ndikuar fitorja për Obiliq edhe për Fushë Kosovë”, ka shkruar ajo.
“Ndërkohë nga stafi i vjetër në KEK ankesa që kam pranuar ditë më parë është: “Nuk kemi punëtorë në prodhim se punëtoret e pranuar nga Vetvendosja nuk punojnë, janë bossa””, shton.
VOX Kosova publikoi të enjten një audio-incizim, në të cilin dëgjohet Kryetari i Obiliqit, Halil Thaçi, teksa konfirmon se me ndikimin e Kryeministrit, Albin Kurti, në kohë zgjedhjesh në Kosovë është hapur konkurs në Korporatën Energjetike të Kosovës.
“Kur i hupum zgjedhjet në 2021-ën në balotazh e çeli Albini konkursin në balotazh. Edhe më tha, Halil, po e çelim qit konkurs, tha, edhe, hupe – fitove, rriju në fjalë njerëzve. Unë po të tham, nëse të pengon dikush, më thirr mu. Kjo për mu ish fitore. Se me ja kthy Obiliqit me 100 vetë të punësum, qatë garën që e bojsha unë, e ndjejsha njëfarë lehtësie që kam ba diçka. Edhe me thanë të drejtën, unë për katër vjet, kam mendu thojsha nja 200 vetë të Obiliqit i shtina në punë, e po din…janë boll. Edhe në rregull”, dëgjohet teksa thotë Thaçi në audio-incizim.









