Afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit të Kosovës tashmë ka kaluar, ndërsa aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese kishte përcaktuar se ky proces duhej të përfundonte brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve zgjedhore.

Me kalimin e këtij afati, nëse Gjykata Kushtetuese vlerëson se vendimi i saj nuk është zbatuar, në dispozicion e ka një mekanizëm të përcaktuar në Rregullin 60 të Rregullores së Punës.

Rregulli parasheh mundësinë e nxjerrjes së Aktvendimit për Mospërmbushje, ku konstatohet se vendimi nuk është zbatuar.

Në të thuhet:

“Në rast të moszbatimit të një vendimi të caktuar ose të vonesës në dhënien e informatave Gjykatës për masat e ndërmarra në zbatim të tij, Gjykata mund të nxjerrë Aktvendim për mospërmbushje, në të cilin do të theksohet që vendimi nuk është zbatuar.”

Ky aktvendim merret me shumicën e votave të gjyqtarëve dhe publikohet në Gazetën Zyrtare.

Por Rregulli 60 parasheh edhe një hap tjetër me rëndësi: njoftimin e Prokurorit të Shtetit.

“Gjykata e njofton Prokurorin e Shtetit për të gjitha vendimet e Gjykatës që nuk janë zbatuar.”

Kjo dispozitë vjen në fokus pas kalimit të afatit për konstituimin e Kuvendit, pasi tash mbetet në vlerësimin e Gjykatës nëse situata e krijuar përbën moszbatim të aktgjykimit të saj.

Nëse Gjykata arrin në një përfundim të tillë, Rregullorja i mundëson të konstatojë moszbatimin përmes aktvendimit përkatës, ta publikojë atë në Gazetën Zyrtare dhe ta njoftojë Prokurorin e Shtetit.