Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese sqarime në lidhje me emërimin e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ajo ka thënë se partitë parlamentare kanë propozuar më shumë kandidatë se që parashikon Kushtetuta.

“Në rrethanat aktuale janë bërë më shumë propozime nga grupet parlamentare sesa që parashikohet me Kushtetutë, prandaj duhet ta sqarojë këtë çështje Gjykata para se të vijohet tutje”, kanë thënë nga kabineti i Osmanit në një përgjigje për Radio Evropa e Lirë.

Nga kabineti i Osmanit nuk kanë treguar se cila parti ka bërë më shumë propozime se që lejohet.

KQZ-ja përbëhet nga 11 anëtarë. 10 prej tyre janë propozime të partive politike parlamentare dhe Kryetari. Gjashtë nga anëtarët emërohen pjesëtarët e gjashtë grupeve më të mëdha parlamentare shqiptare, ndërsa një emërohet nga deputetët e komunitetit jo shumicë serb, dhe tre të tjerët nga deputetët e komuniteteve jo shumicë jo serbe.

Sipas raportimeve, Vetëvendosja i ka propozuar tre anëtarë. Partia Demokratike e Kosovës ka konfirmuar se ka propozuar dy anëtarë – Ilir Gashin dhe Rashit Qalajn – ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës një.

Presidentja Osmani kishte kërkuar nga partitë parlamentare që t’i propozonin kandidatët për anëtarë të KQZ-së më 9 mars. Ato kanë pasur kohë që të bëjnë propozimet e tyre deri më 16 mars, dhe kështu Presidentja do të kishte kohë 5 ditë për të emëruar apo jo të propozuarit.

Emërimi i anëtarëve të KQZ-së duhet të bëhet jo më larg se 60 ditë nga certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve, sipas Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme.