Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar se dy persona janë ndaluar nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

Sipas njoftimit zyrtar, me urdhër të Prokurorisë Speciale, Policia e Kosovës ka ndaluar personat me inicialet M.J. dhe M.B., të dyshuar se gjatë periudhës së luftës, përkatësisht gjatë vitit 1999, kanë kryer krime ndaj popullsisë civile në rajonin e Mitrovicës.

Të dyshuarit ngarkohen për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”, të sanksionuar me nenin 142, lidhur me nenin 22 të Kodit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë.

Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se ndaj dy të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa në vijim do të ndërmerren veprimet e tjera procedurale në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Hetimet për këtë rast janë duke vazhduar, ndërsa Prokuroria ka theksuar se për shkak të ruajtjes së integritetit të procedurës penale, në këtë fazë nuk mund të publikohen më shumë detaje.