Deputetja e Listës Serbe, Tanja Vujoviç, që u votua të dielën edhe nga Lëvizja Vetëvendosje si nënkryetare e Kuvendit nga radhët e komunitetit joshumicë serb, ka qëndrime thellësisht kundër Kosovës, të ngjashme me të gjithë bashkëpartiakët e saj që VV-ja nuk i votoi.

Më 1 shkurt të këtij viti, Vujoviç deklaronte se “Lista Serbe është i vetmi opsion që ka lidhje të drejtpërdrejtë me Republikën e Serbisë”.

Po ashtu, Vujoviç vazhdimisht ka propaganduar për gjoja “pozitën e vështirë” të serbëve që jetojnë në Kosovë dhe ka mohuar ekzistencën e shtetit të Kosovës.

Vetëvendosja nuk i votoi disa kandidatë të tjerë të Listës Serbe për nënkryetar si Slavko Simiç-in, Igo Simiç-in, Zlatan Elek-un e të tjerë, ndërsa Vujoviç-in që ka qëndrime të njëjta me ta po.

VV e votoi për nënkryetare të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb një deputete të Listës Serbe, pavarësisht se kishin thënë se nuk do ta votonin asnjë deputet të kësaj partie për këtë pozitë.

Se Lista Serbe ka lidhje të drejtpërdrejta me Serbinë dhe dirigjohet nga Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, është e ditur botërisht.

Këtë fakt vazhdimisht e ka përmendur edhe Vetëvendosja. Por, tani kjo parti që ka pushtetin në Kosovë voton për nënkryetare një deputete që e pranon hapur lidhjen me Serbinë.