Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, dorëzoi sot (e premte) dorëheqjen e tij, pas rastit të vrasjes së Arlinda Zekajt, i cili nxori në pah dështimet e njëpasnjëshme të të gjithë sistemit.

Fillimisht të Prokurorisë, më pas të Gjykatës dhe, në fund, edhe të Policisë.

Megjithatë, kjo nuk është dorëheqja e parë e një drejtori të Policisë gjatë kohës kur në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme është Xhelal Sveçla.

Në vitin 2022, të njëjtin hap e kishte ndërmarrë edhe Samedin Mehmeti, pas rastit të njohur si “dhunimi i 11-vjeçares”.

Njoftimin për dorëheqjen e tij e kishte bërë vetë ministri Xhelal Sveçla, duke thënë se “kjo kërkesë, sipas z. Mehmeti, erdhi pas rastit të fundit të dhunimit të 11-vjeçares, për arsye personale dhe ndërgjegje profesionale”.

Por, ndryshe nga dy drejtorët e Policisë që vendosën të largoheshin nga detyra pas rasteve të rënda që tronditën vendin, Xhelal Sveçla vazhdon të qëndrojë në pozitën e ministrit të Punëve të Brendshme.

Madje, vetëm pak orë më parë, në konferencën për media, ai la të kuptohej se nuk e konsideron dorëheqjen si një hap që duhet ta ndërmarrë, ndonëse Ministria që drejton ka përgjegjësi institucionale për hartimin e politikave dhe krijimin e kushteve për funksionimin e Policisë së Kosovës.

“Unë nuk mendoj se dorëheqja jonë do të kontribuonte në fuqizimin e gruas në mbrojtjen e të drejtave të saj, meqenëse ne jemi të angazhuar qind për qind në përmbushjen e detyrave tona në këtë pikë. Të ju them të drejtën unë personalisht jam me bashkë me protestuesit. Kuptoj edhe indinjatën e mllefin e tyre. Po punojmë si institucione që të plotësojmë të gjitha ato kërkesa që kërkohen sipas Ligjit”, tha Sveçla.

Në anën tjetër, kur bëhet fjalë për sukseset e Policisë së Kosovës, Sveçla nuk heziton t’i përvetësojë ato si merita të tij dhe të Ministrisë që drejton, duke iu referuar vazhdimisht angazhimit të kësaj të fundit.

Pra, kur ka dështime, përgjegjësia mbetet te institucionet e tjera, por kur ka suksese, meritat ndahen me Ministrinë.