Sekretarja e Jashtme britanike, Yvette Cooper, paralajmëroi se Mbretëria e Bashkuar dhe aleatët e NATO-s janë të gatshëm të ndërhyjnë ndaj çdo avioni që shkel hapësirën ajrore të aleancës pa leje, duke akuzuar Rusinë për veprime provokuese dhe të rrezikshme.
Cooper tha se Rusia “vazhdon të shkelë detyrimet më themelore të Kartës së OKB-së” me sulme gjithnjë e më të ashpra në Ukrainë dhe me “ndwrhyrje të pamatura” në hapësirën ajrore të Polonisë, Rumanisë dhe Estonisë.
“Këto veprime janë të rrezikshme dhe të papërgjegjshme. Në rastin më të keq, janë një përpjekje e qëllimshme për të minuar integritetin territorial të shteteve sovrane dhe sigurinë evropiane,” u shpreh ajo, duke paralajmëruar se këto shkelje “hapin derën për një përballje të armatosur mes NATO-s dhe Rusisë”.
Ajo theksoi se “forca e përbashkët e NATO-s është e pakrahasueshme dhe vendosmëria për të mbrojtur paqen dhe sigurinë mbetet e palëkundur”.
“President Putin, veprimet tuaja të pamatura rrezikojnë një përplasje të drejtpërdrejtë mes NATO-s dhe Rusisë,” tha Cooper.
“Aleanca jonë është mbrojtëse, por të mos ketë asnjë iluzion: jemi të gatshëm të ndërmarrim çdo hap të nevojshëm për të mbrojtur qiellin dhe territorin e NATO-s. Jemi vigjilentë dhe të vendosur dhe nëse duhet të përballemi me avionë që operojnë në hapësirën ajrore të NATO-s pa leje, do ta bëjmë.”