Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, stërvitjet ushtarake të Serbisë në territorin e Komunës së Bujanocit, pranë kufirit me Kosovën, i ka quajtur “provokim të hapur” ndaj Kosovës, derisa ka shtuar se institucionet kosovare “mbeten vigjilente dhe të gatshme për t’u përballur me çdo kërcënim”.

“Jemi thellësisht të shqetësuar me demonstrimin e pajustifikueshëm ushtarak të Serbisë me helikopterë dhe parashutistë në zonat e banuara me shqiptarë në Komunën e Bujanocit, fare pranë kufirit me Republikën e Kosovës”, ka thënë Kurti gjatë mbledhjes së Qeverisë të enjten.

Një shfaqje e tillë e forcës ushtarake mbi shtëpi, shkolla, qendra të mjekësisë, ai thekson se përbën “jo vetëm trysni, nxitje të tensionit dhe përpjekje për t’i frikësuar banorët atje, e cila ka vite që po përballet me spastrim etnik administrativ nga regjimi autokrat në Serbi, por tregon edhe një provokim të hapur ndaj shtetit tonë të pavarur të Republikës së Kosovës”.

Kjo shfaqje, siç thotë Kurti, bëhet edhe “më alarmuese kur kujtojmë se e njëjta njësi ka trajnuar dhe mbështetur grupin e kriminelit Milan Radojiçiç, të cilët realizuan sulmin agresor e terrorist  në fshatin Banjskë të Zveçanit kur vranë rreshterin policor Afrim Bunjakun, heroin e Kosovës”.

“Këto lëvizje ushtarake të kombinuara me retorikën nxitëse të Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, se kinse Serbia po përgatitet për një sulm të mundshëm nga një aleancë Kosovë-Shqipëri-Kroaci si dhe blerja e armatimit kinez dhe rus, konfirmojnë se Serbia po e përdor ushtrinë si mjet shantazhi për të mbajtur rajonin e Ballkanit në tension të vazhdueshëm”, shtoi ai.

Në anën tjetër, Kurti konsideron se duhet të vërehet se “Serbia po e bën këtë edhe nga dëshpërimi i saj”. “Së pari, tash nuk kanë më struktura ilegale e paralele në Kosovë që të na destabilizojnë e cenojnë së brendshmi, andaj sillen e pështillen rreth kufirit”.

Ai u ka bërë thirrje shqiptarëve që jetojnë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc që “të mos bien pre e politikave nxitëse e destabilizuese, autokrate dhe shtypëse”.

Kurti ka vlerësuar gjithashtu edhe se është koha që komuniteti ndërkombëtar “të ndëshkojë këtë qasje destabilizuese të Serbisë që kërcënon drejtpërdrejtë paqen dhe sigurinë rajonale”.