Behxhet Kelmendi, një emër i rëndësishëm i Lëvizjes Popullore të Kosovës, ka mohuar se në mbledhjen e Ujmirit në vitin 1991 të LPK-së, ka pasur përplasje apo konflikt mes Hashim Thaçit e Behajdin Allaqit.

“Është detyrim moral, shpirtëror dhe atdhetar se s’ka pasë as më të voglin konflikt. As më të voglin konflikt”, tha Kelmendi në Debat Plus.

Edhe Ramadan Avdiu e Fatmir Brajshori, një ndër anëtarët më të hershëm dhe pjesë e Kryesisë së LPK-së, kanë mohuar se Thaçi e Allaqi kishin konflikt në mbledhjen e vitit 1993 në Kollare.

Pikërisht në Kollare, Gjykata Speciale pretendon, duke u bazuar në një libër të Ilaz Kadollit, se ka pasur përplasje mes Thaçit e Allaqit e cila ishte përcjellur ndër vite derisa Allaqi “ishte vrarë” sipas Gjykatës. Në konstatimin e saj, Gjykata Speciale ua mveshi vrasjen e Allaqit, Hashim Thaçit e Kadri Veselit.