Mbrojtja e ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në Hagë ka shënjestruar sërish shkeljen brutale ligjore të Prokurorisë së Speciales sa i përket dorëzimit të materialeve dhe provave edhe pasi çështja kundër krerëve të UÇK-së është mbyllur.

Avokati kroat, Luka Misetiç, në një parashtresë të re dorëzuar në Gjykatë, është shprehur se në Speciale po “krijohet rrethanë ku klienti i tij nuk ka mundësi t’i kundërpërgjigjet provave kundër, si rrjedhojë e veprimeve të Prokurorisë”.

“Meqenëse procedurat tashmë janë përmbyllur, z. Thaçi nuk gëzon më një të drejtë të përgjithshme për t’u dëgjuar nga Trupi Gjykues, përveç nëse arrin të përmbushë standardin e rreptë të “rrethanave të jashtëzakonshme dhe arsyetimit të bazuar” sipas Rregullit 136. Për pasojë, paraqitja e njëanshme e provave nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (SPO) në këtë fazë—përfshirë materiale që SPO i cilëson si inkriminuese në procedura të ndërlidhura—ia mohon z. Thaçi të drejtën për një proces kundërshtues”, ka thënë Misetiç.

Ai, këto veprime të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, i ka quajtur “paraqitje të provave nga dera e pasme”, të cilat, sipas Misetiç, “shkelin parimin e barazisë së palëve dhe të drejtën për të komentuar provat e paraqitura para gjykatës”, siç garantohet nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Për avokatët, është jetike që kundër Prokurorisë të merret një urdhër obligativ, i menjëhershëm, që e ndalon atë të dorëzojë prova të reja në këtë fazë.

“ZPS nuk arrin të paraqesë asnjë “interes legjitim” që do të justifikonte vazhdimin e pranimit nga Trupi Gjykues të kopjeve të materialeve të zbuluara pas përfundimit të gjykimit”, konstaton tutje Mbrojtja.

Avokatët e Thaçit, i ishin drejtuar me një shkresë urgjente Trupit Gjykues në Hagë më 13 mars ku për herë të parë e kishin vënë në dukje shqetësimin se Prokuroria po dërgon prova ani pse rasti është mbyllur.

Për më tepër,  vetë Kryetari i Trupit Gjykues, Charles Smith, në ditën e fundit të gjyqit ndaj krerëve të UÇK-së, e kishte theksuar se palët nuk kanë të drejtë të dërgojnë më prova apo parashtresa pas mbylljes së çështjes, përveç në rastet kur shqyrtohet paraburgimi.