Mbrojtja e ish-presidentit, Hashim Thaçi, ka dorëzuar një sërë provash që lidhen me shtypjen nga regjimi i Serbisë në vitet e ’90-ta, që çoi edhe në krijimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në një shkresë të avokatit Luka Misetic, thuhet se këto materiale janë të rëndësishme për të vendosur në kontekstin e duhur historik krijimin dhe funksionimin e UÇK-së, “si dhe ndjenjën e urrejtjes etnike dhe hakmarrjes që u rrit te popullsia shqiptare e Kosovës si pasojë e dekadave të shtypjes nga regjimi serb dhe fushatës brutale ushtarake të kryer nga forcat serbe në vitet 1998 dhe 1999”.

Por mbrojtja ka vënë para panelit edhe prova që lidhen me bashkëpunimin e UÇK-së me faktorin ndërkombëtar.

“Këto përfshijnë dokumente që lidhen me rrethanat që çuan drejt dhe pas konferencës së Rambujes, ndërhyrjes së NATO-s në konflikt dhe përfundimit të konfliktit me tërheqjen e trupave serbe në qershor 1999. Këto dokumente janë gjithashtu të rëndësishme pasi ofrojnë kontekst shtesë për provat e dëshmitarëve të Mbrojtjes Thaçi që kanë dëshmuar deri tani, si dhe për dëshmitarët e ardhshëm të Mbrojtjes Thaçi”, thuhet në shkresë.

Një aspekt tjetër i provave janë edhe ato që dëshmojnë se lufta në Kosovë përfundoi më së largu më 20 qershor 1999, e jo në shtator siç pretendon Prokuroria në aktakuzë me periudhën e saj, shkruan Vox Kosova.

“Provat e këtij lloji përfshijnë deklarata autoritative të individëve të informuar, organizatave dhe institucioneve që kanë konstatuar se konflikti i armatosur në Kosovë nuk ka zgjatur pas qershorit 1999; procesverbale të takimeve të VJ-së me KFOR-in që pasqyrojnë se tërheqja e trupave serbe ishte përfunduar deri më 20 qershor sipas Marrëveshjes Teknike Ushtarake dhe se nuk kishte rrezik real të rifillimit të armiqësive pas përfundimit të kësaj tërheqjeje; dhe dokumente të organizatave ndërkombëtare të përfshira në konflikt ose në periudhën pas konfliktit që qartësisht deklarojnë ose nënkuptojnë se konflikti përfundoi deri më 20 qershor 1999”, potencohet në shkresë.

Sipas mbrojtjes, materiale të tjera në këtë aneks të shkresës lidhen me karakteristika specifike ose pasoja të ofensivave ushtarake serbe, siç është pjesëmarrja e civilëve serbë të armatosur në operacione ushtarake ose në sulme kundër popullsisë civile, apo efekti i ofensivave ushtarake serbe ose i mënyrës së operimit mbi rekrutimin, organizimin dhe kapacitetet operacionale të UÇK-së.

“Së fundi, disa dokumente në Aneksin 1 paraqesin kthimin e refugjatëve në Kosovë duke filluar nga pezullimi i fushatës së bombardimeve të NATO-s dhe duke vazhduar gjatë gjithë verës 1999, i cili kontribuoi në gjendjen e kaosit dhe paligjshmërisë që mbizotëronte në Kosovë gjatë atij periudhë”, specifikon mbrojtja në shkresën e saj.