Qeveria e Kosovës nuk ka asnjë informacion mbi testimin e sotëm të Urës së Ibrit në Mitrovicë. Kamionë, mjete të ndryshme dhe instrumente për matje gjeodezike janë parë sot në urë.
Lidhur me këtë testim, Ministria e Infrastrukturës nuk ka marrë asnjë njoftim. Zëvendësministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, për Televizionin Dukagjini ka deklaruar se Ministria ka kryer testimet vitin e kaluar dhe se për testimet e sotme nuk kanë asnjë informacion se kush po i kryen.
“Ne nuk kemi marrë asnjë njoftim zyrtar nga askush. Si ministri i kemi përfunduar testimet. I kemi marrë raportet me rezultatet – ura është stabile për çfarëdo lloj ngarkese që mund të kalojë mbi të,” ka thënë ai.
Sipas një raportimi të medias lokale në Mitrovicë, Pro Zë, testimi po kryhet nga një kompani e kontraktuar nga Bashkimi Evropian.
Në deklaratat e cituara nga Dukagjini, Durmishi i referohet testuesve të sotëm si “ata”, pa përmendur ndonjë autoritet konkret.
“Jo, jo, sepse as nuk kanë dërguar njoftim te ne si ministri. Ata, sipas informatave jozyrtare që po qarkullojnë, duan të bëjnë testime – ndoshta për t’i krahasuar me testimet tona,” tha Durmishi.
Sipas tij, ura aktualisht nuk përdoret për qarkullim të automjeteve, por vetëm për këmbësorë.
Qeveria e Kosovës kishte kryer testime vitin e kaluar dhe me pompozitet kishte folur për përpjekjen për ta hapur urën për qarkullim të mjeteve motorike. Për këtë qëllim ishin organizuar edhe diskutime publike me banorët e zonës.
Më 7 gusht 2024, kryeministri Kurti kishte shkruar:
“I ftoj bashkëqytetarët tanë të komunitetit serb që të marrin pjesë në këtë diskutim të përbashkët, në të cilin do të mund të njoftohen mbi përfitimet nga hapja e urës.”
Megjithatë, kjo përpjekje nuk ishte përkrahur nga faktori ndërkombëtar dhe diskutimet për hapjen e saj u ndërprenë.