Luka Misetiç, avokati i ish-Presidentit Hashim Thaçi, ka shpërfaqur hipokrizinë e Trupit Gjykues në Gjykatën Speciale, i cili kishte urdhëruar vetë të gjitha palët që të mos e diskutonin rastin e Behajdin Allaqit në seancë publike dhe provat të mbeteshin konfidenciale, ndërkohë e shpalli publikisht fajtor Thaçin për vrasjen e tij duke i mbajtur të fshehura nga shqyrtimi publik provat mbi të cilat e ka bazuar këtë përfundim.

Misetiç, përmes një reagimi në llogarinë e tij në platformën X, ka thënë se Thaçi e mohon kategorikisht përfshirjen në vrasjen e Allaqit dhe kërkon seancë publike për këtë çështje.

“Për më tepër, dje Trupi Gjykues deklaroi publikisht se z. Thaçi ishte i përfshirë në vrasjen e Behajdin Allaqit, pasi kishte urdhëruar të gjitha palët në këtë çështje që të mos e diskutonin rastin e z. Allaqit në seancë publike të gjykatës, si dhe pasi kishte urdhëruar që të gjitha provat lidhur me këtë rast të mbaheshin konfidenciale”, shkroi Misetiç.

“Kështu, Trupi Gjykues e ka shpallur publikisht z. Thaçi fajtor për një vrasje, duke i mbajtur njëkohësisht të fshehura nga shqyrtimi publik provat mbi të cilat e ka bazuar këtë përfundim. Z. Thaçi do ta mirëpriste një shqyrtim të tillë publik të provave”, shtoi.

Ai bëri me dije se mbrojtja do t’i apelojë vendimet e Trupit Gjykues për “shkeljen e të drejtave të tij themelore për një gjykim të drejtë, të garantuara nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Kushtetuta e Kosovës. “Z. Thaçi mohon shprehimisht çdo përfshirje në vrasje”.

“Respektimi i standardeve rigoroze të drejtësisë procedurale është jetik për ruajtjen e besimit të publikut në institucionet ndërkombëtare të drejtësisë penale. Mbrojtja do ta dorëzojë zyrtarisht Njoftimin për Apel, me qëllim korrigjimin e këtyre gabimeve faktike, ligjore dhe procedurale para Panelit të Apelit”, njoftoi ai.

Reagim i plotë i Misetiç-it:

Hashim Thaçi dëshiron të shprehë mirënjohjen e tij të sinqertë për mbështetjen e madhe që ai, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi kanë marrë nga populli i Kosovës dhe nga mbarë bota, si dhe u bën thirrje qytetarëve të Kosovës që të qëndrojnë paqësorë në përgjigje ndaj padrejtësisë së djeshme.

Avokatët e z. Thaçi do ta apelojnë Aktgjykimin e djeshëm të Trupit Gjykues para Panelit të Apelit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), duke pretenduar se janë bërë gabime të rëndësishme në ligj dhe në fakte, të cilat kanë cenuar drejtësinë e procesit gjyqësor.

Gjatë gjithë procesit gjyqësor, Mbrojtja ka ngritur vazhdimisht shqetësime lidhur me drejtësinë procedurale, përfshirë shtrirjen e gjerë të pyetjeve të bëra drejtpërdrejt nga anëtarët e Trupit Gjykues, në një mënyrë që nuk krijonte përshtypjen e paanshmërisë. Mbrojtja qëndron në qëndrimin se ndërhyrjet gjyqësore e kanë kaluar kufirin e kërkimit neutral të së vërtetës, duke cenuar përshtypjen e paanshmërisë që kërkohet sipas standardeve ndërkombëtare të drejtësisë. Kjo mungesë paanshmërie tashmë përshkon Aktgjykimin e Trupit Gjykues.

Mbrojtja parashtron se konstatimet e Trupit Gjykues për fajësinë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm mbështeten në prova të pamjaftueshme dhe të pakonfirmuara. Për më tepër, dje Trupi Gjykues deklaroi publikisht se z. Thaçi ishte i përfshirë në vrasjen e Behajdin Allaqit, pasi kishte urdhëruar të gjitha palët në këtë çështje që të mos e diskutonin rastin e z. Allaqit në seancë publike të gjykatës, si dhe pasi kishte urdhëruar që të gjitha provat lidhur me këtë rast të mbaheshin konfidenciale.

Kështu, Trupi Gjykues e ka shpallur publikisht z. Thaçi fajtor për një vrasje, duke i mbajtur njëkohësisht të fshehura nga shqyrtimi publik provat mbi të cilat e ka bazuar këtë përfundim. Z. Thaçi do ta mirëpriste një shqyrtim të tillë publik të provave.

Mbrojtja do t’i apelojë vendimet e Trupit Gjykues për shkeljen e të drejtave të tij themelore për një gjykim të drejtë, të garantuara nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Kushtetuta e Kosovës. Z. Thaçi mohon shprehimisht çdo përfshirje në vrasje.

Respektimi i standardeve rigoroze të drejtësisë procedurale është jetik për ruajtjen e besimit të publikut në institucionet ndërkombëtare të drejtësisë penale. Mbrojtja do ta dorëzojë zyrtarisht Njoftimin për Apel, me qëllim korrigjimin e këtyre gabimeve faktike, ligjore dhe procedurale para Panelit të Apelit.