Ish-Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, në protestën kundër Gjykatës Speciale që po mbahet në Tiranë, ka thënë se ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë nuk kanë kryer krime, por kanë kryer detyrën.

“Ata nuk kanë kryer krime, por kanë bërë detyrën më të lartë që njeh historia bashkëkohore, çlirimin e Kosovës dhe popullit të vet”, tha Moisiu në fjalën e tij para mijëra protestuesve.

Ai theksoi se në Tiranë janë mbledhur për të “mbrojtur dinjitetin tonë kombëtar, jemi këtu këtu për të ngritur zërin kundër padrejtësisë që po bëhet ndaj bijve më të mirë të Kosovës dhe të kombit shqiptar, luftëtarëve të UÇK-së”.

“Besoj që drejtësia do të bëjë detyrën e saj dhe do të jetë në krahun e katër udhëheqësve të UÇK-së. Ata janë burgosur pa prova me akuza të fabrikuara në qarqet e errëta serbo-ruse që përpiqen të njollosin luftën për çlirimin e Kosovës”, deklaroi ai ndër të tjera.