Komuna e Prishtinës ka njoftuar se transporti publik në kryeqytet të enjten do të jetë pa pagesë nga ora 14:00 deri në 20:00 për shkak të protestës që do të mbahet kundër vendimit dënues të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Me rastin e organizimit të marshit për UÇK-në, që do të mbahet sot, transporti publik në Kryeqytet do të jetë pa pagesë në intervalin kohor 14:00–20:00”, thuhet në njoftim.
Kjo masë, siç thonë ata, synon të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve dhe pjesëmarrjen në marsh.
Që nga vendimi i 16 shtatorit, shqiptarët janë duke protestuar vazhdimisht për të kundërshtuar aktgjykimin dënues të Gjykatës Speciale për ish-krerët e UÇK-së.









