Ish-hetuesja e Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavi, Nevenka Tromp, ka thënë se pjesëmarrja e saj në protestën e sotme në Prishtinë kundër Gjykatës Speciale ka për qëllim fuqizimin e qytetarëve të Kosovës, derisa u ka kërkuar atyre që të pozicionohen si popull kundrejt kësaj gjykate.

“Jam këtu sot, jo për të protestuar. Jam këtu për të fuqizuar popullin e Kosovës që ta marrë fatin dhe të ardhmen e vet në duart e veta…”, tha Tromp në një intervistë ekskluzive për VOX Kosova.

Tromp pohon se do të marrë pjesë në protestë edhe për të nxitur reflektim mbi rolin që ka pasur ndërhyrja ndërkombëtare në Kosovë gjatë viteve të fundit.

“…nëse kjo agjendë duhet të rishkruhet, të riformulohet – duke u pozicionuar si popull i Kosovës përballë kësaj gjykate, atëherë realisht mund të vazhdoni ta shkruani agjendën tuaj dhe të gjeni fuqizimin tuaj përmes institucioneve tuaja…”, shtoi ajo.

Nëse mund të kontribuojë në protestën e sotme, Tromp thotë se këtë do ta bëjë përmes mesazhit se “po, drejtësia është e rëndësishme – por ajo drejtësi duhet të ketë legjitimitet, legjitimim institucional.”

“Kjo gjykatë ju detyrohet juve, popullit të Kosovës, të tregojë se është e paanshme, transparente dhe jo paragjykuese”, potencon ndër të tjera ajo.