Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ishte nga të paktët zyrtarë të LDK-së që mori pjesë në protestën kundër Gjykatës Speciale në Tiranë, më 17 tetor. Në një intervistë për VOX Kosova, ai ka dhënë shpjegimet se pse ka shkuar për të protestuar.
“Është reagim qytetar, jam i zgjedhur qytetar dhe jam veteran i luftës. Gjithçka që më lidh, kam vendos për herë të parë, pas shumë viteve, me marrë pjesë në një manifestim, i cili është më shumë reagim i njerëzve të Kosovës. Tani Tirana, si kryeqytet, i ka bashku në protestën e radhës atje”, tha Haziri për VOX-in.
Përballja me drejtësinë, Haziri thotë se “nuk është as handikap, as turp, zbardhja e të kaluarës është obligim qytetar dhe njerëzit me gatishmërinë e vetë, këta që janë së paku atje t’u përballë, edhe ata që janë përballë me drejtësinë ndërkombëtare ma herët, kanë dalë janë ballafaquar me të kaluarën dhe e kanë zbardh”.
Ai pati kritika për institucionet e Kosovës në lidhje me qasjen që e kanë pasur ndaj Gjykatës Speciale.
“Vonesa, mënyra se si është zhvillu ky proces, mënyra se si Kuvendi i Republikës ka dështuar me luajt rolin e vetë, sepse ato Dhoma të Specializuara i ka themeluar Kuvendi i Republikës. Dështimi në ndërtimin e mekanizmave mbikëqyrës, të pavarur, pa ndërhyrë në drejtësi, është problem i joni, nuk është problem i atyre”, shtoi.
Sa i përket aktakuzës së Prokurorisë së Hagës ndaj ish-krerëve të UÇK-së për “Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale”, , Haziri vlerësoi se kjo akuzë pothuajse ka rënë.
“Tani krejt çka duhet me pa në prizmin e Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale. A mundet m’u faktu? Kush dhe çfarë forme faktohet edhe a po vendoset drejtësi? Në këtë rast, nëse individët kanë pasë problem me të kaluarën, do të përballen me drejtësi, siç ka ndodh në disa raste tjera. Nëse bie kjo aktakuzë e prokurorisë, e që po shihet që është diskriditu bajagi shumë, atëherë drejtësia mund ta jap fjalën e vetë deri në pranverën e vitit të ardhshëm”, theksoi ai ndër të tjera.








