Durim Aliu, organizatori i protestës së paralajmëruar për 1 nëntor, ka bërë të ditur se kërkesa kryesore e protestës do të jetë dorëheqja e kryeministrit Albin Kurti.
Në një intervistë për Vox Kosova, Aliu ka thënë se pakënaqësia kryesore që e ka shtyrë të organizojë protestën lidhet me gjendjen ekonomike në vend, të cilën e ka cilësuar si arsye bazë të pakënaqësisë qytetare.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos kërkojnë shkarkimin e ministrave, por dorëheqjen e Kurtit, duke pretenduar se ministrat e emëruar prej tij janë të njëjtë.
“Ju kisha bërë thirrje të gjithëve që të mos kërkojnë shkarkime të ministrave. Unë mendoj që cilindo që e emëron Kurti ministër, këta janë të njëjtë”, ka deklaruar Aliu.
Ai ka mohuar se qëndron prapa ndonjë partie politike apo se kontrollohet nga dikush tjetër, duke thënë se protestën po e organizon si qytetar i pakënaqur me gjendjen në vend.
“Unë nuk dirigjohem prej asnjë partie, nuk kontrollohem prej kërkujt. Unë partiakisht jam i verbër. Jam një qytetar që jetoj në këtë republikë dhe dua që fëmijën tim ta rris në një vend ku nuk i rrezikohet e ardhmja”, ka thënë ai.
Aliu, i cili ka treguar se është i papunë dhe prind i një foshnje katër muajshe, ka kritikuar edhe ndihmën prej 30 eurosh të ndarë nga Qeveria.
“Unë jam i papunë, jam prind, djali i ka katër muaj. 30 eurot e Albinit, djali im i pinë qumësht për tri-katër ditë”, është shprehur organizatori i protestës.
Në intervistë, Aliu ka treguar edhe se është ftuar për intervistim nga Krimet e Rënda, pasi, sipas tij, protesta kishte marrë vëmendje të madhe mediale.
Ai ka thënë se fillimisht nuk i ishte dhënë ndonjë arsye për ftesën, ndërsa gjatë intervistimit është pyetur për një ripostim në TikTok të një deklarate të Adem Demaçit, ku thuhet: “Nuk ka falje për spiunët”.
Sipas Aliut, hetuesit e kanë pyetur gjithashtu nëse është organizator i protestës, cilat janë qëllimet e saj dhe nëse ajo do të jetë paqësore.








