Në një reagim në Facebook, Rama ka akuzuar Qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin Albin Kurti për, siç ka thënë ai, ndëshkim politik të komunave që nuk e kanë votuar pushtetin.

“Nuk mundesh me ua marrë qytetarëve buxhetin, me ua blloku projektet e me ua ndal zhvillimin vetëm pse nuk të kanë votuar. Kjo nuk është qeverisje. Është ndëshkim politik”, ka shkruar Rama.

Ai ka thënë se sot po bllokohen komunat, ndërsa ka paralajmëruar se nesër mund të ndëshkohet kushdo që mendon ndryshe.

“Qytetari nuk është pronë e pushtetit. Paratë e qytetarëve nuk janë pronë e Qeverisë”, ka shkruar ai.

Rama ka bërë thirrje që qytetarët të dalin nesër, më 1 shtator, në orën 11:00, në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Ai ka njoftuar gjithashtu se parkingu te Pallati i Rinisë do të jetë pa pagesë për pjesëmarrësit.