Në mbledhjen e Komisionit për Siguri dhe Mbrojtje, me iniciativën e deputetes Ganimete Musliu, është diskutuar për protestën e 5 tetorit, gjatë së cilës, sipas saj, Policia e Kosovës përdori dhunë joproporcionale ndaj protestuesve.
Musliu ka propozuar që në fund të tetorit, në këtë komision të ftohet drejtori i Policisë së Kosovës, për të raportuar lidhur me protestën.
“Skenat që i kemi parë janë joprofesionale, joproporcionale me protestën. Kemi shumë ankesa të qytetarëve, kemi raporte mjekësore të qytetarëve të cilët kanë marrë ndihmë mjekësore atë ditë dhe vlerësoj që drejtori i Policisë duhet të jetë para këtij komisioni të raportojë për krejt situatën që ka ndodhur atë ditë”, ka thënë Musliu.
Ajo ka kërkuar që në të njëjtën mënyrë të veprohet edhe me kryeshefin e Inspektoratit Policor të Kosovës, i cili, sipas saj, duhet të raportojë para komisionit gjatë muajit nëntor.
Megjithatë, anëtari i pushtetit në këtë komision, Sali Zyba, ka vlerësuar se kërkesa për raportim duhet të bëhet pasi të përfundojnë hetimet lidhur me protestën.
Zyba ka mbrojtur veprimet e Policisë, duke thënë se ajo ka treguar profesionalizëm gjatë protestës.
“Pa e pasur një epilog të hetimit, nuk mundem me konsideru që duhet të vijë eprori i autoritetit të raportojë. Nëse ke tendencë me bo fushatë e politikë, ka edhe hapësira tjera, veç të lutem diçka. Profesionalizmi i Policisë është treguar edhe atë ditë edhe kujtdo tjetër, kështu që mos u qitni pikë çështjeve që i ngritni ju”, ka thënë Zyba.









