Kryetarin e Kuvendit ose zëvendëskryeministrin e katër ministri.

Këto janë dy propozimet që Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ia ka bërë Kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikut, gjatë bisedimeve për cështjen e Presidentit, në këmbim që pozita e të parit të shtetit t’i takojë Vetëvendosjes, por që janë refuzuar nga LDK.

“Ne kemi pasur dy propozime deri më tani, i pari ka qenë rreth pjesëmarrjes në Qeveri, ku LDK-së i jepet pozita e zëvendëskryeministrit dhe katër ministri dhe propozimi i dytë ka qenë rreth Kryeparlamentarit. Në të dy rastet ka pasur insistim për ta mbajtur pozitën e Presidentit tek Lëvzija Vetëvendosje”, tha Abdixhiku për gazetarë të hënën pas takimit me Kurtin.

“Kjo ka qenë pikërisht arsyeja pse kemi pasur bllokadë para aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese dhe ky propozim natyrisht siç kemi thënë vazhdimisht është i papranueshëm për LDK-në, meqë insistimi i VV-së dhe Kurtit ishte që mbajë edhe pozitën e Presidentit dhe kështu t’i ketë të tri institucionet kryesore”, shtoi ai.

Por, kjo nuk është pranuar nga Abdixhiku, i cili theksoi se më nuk do të marrin pjesë në diskutime për Presidentin. “LDK është jashtë procesit diskutues për çështjen e Presidentit”.

Ai theksoi se kanë mbetur edhe pak ditë deri në afatin kushtetues për ta zgjedhur Presidentin dhe në rast se Kurti nuk arrin që ta bëjë këtë me partitë e tjera, do të përgatiten për zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.

“Do të thërras kryesinë e partisë dhe më pas le të presim edhe 7 ditë nëse palët tjera, partitë tjera bëjnë zgjidhje. Në qoftë se jo, atëherë duhet të bëhemi gati për skenarin më të rëndë, më të keq, më të pakuptueshëm – të zgjedhjeve të reja”, potencoi ai.