Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka dënuar me 20 mijë euro Listën Serbe. Vendimi vjen pas ankesës së subjektit “Kosovski Savez” me seli në Mitrovicën e Veriut. Arsye e dënimit është shkelja e Kodit të Mirësjelljes për Subjektet Politike, mbështetësit e tyre dhe kandidatët.

Sipas ankesës dhe arsyetimit të vendimit, akterë të Listës Serbe kanë vendosur material propagandistik në disa lokacione në veri të Kosovës.

Ky subjekt politik ka kohë 15 ditë nga plotfuqishmëria e vendimit që ta paguajë gjobën.