Marko Gjuriç, Ministër i Punëve të Jashtme të Serbisë, në seancën e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ka propaganduar se serbët në Kosovë po përballen me arrestime dhe sulme të vazhdueshme.

“Vetëm më 2025, 137 incidente me motive etnike janë regjistruar”, propagandoi Gjuriç. “Ajo që ndodh në Kosovë sot është çështje e përgjegjësisë së përbashkët në provën e kredibilitetit të rendit ndërkombëtar. Faktet janë shqetësuese”, shtoi ai.

Ai propagandoi edhe se në politikat e Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti “serbët vazhdimisht etiketohen si ‘të tjerët’”. Gjuriç shkoi aq larg saqë propagandoi edhe për sulme ndaj Kishës Serbe.

Kryediplomati serb, ndër të tjera, kërkoi edhe formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Serbia mbetet e përkushtuar ndaj dialogut, por pa implementim të obligimeve ekzistuese nuk është dialog, është stagnim. Mëse 13 vjet pas Marrëveshjes së Brukselit presim që Asociacioni të formohet menjëherë”, deklaroi ai.

Gjuriç u ankua edhe për armatosjen e Kosovës, duke thënë se kjo nuk mund të shihet si ”neutrale”.