Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriç, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e ka akuzuar Kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, se gjoja po zbaton një politikë që ka për qëllim “dëbimin” e serbëve nga Kosova.

“Ka arrestime arbitrare, dhunë të pakontrolluar dhe një sfidë të drejtpërdrejtë ndaj parimeve themelore të Kombeve të Bashkuara”, tha Gjuriç, derisa pretendoi se ekzekutivi kosovar ka “shkatërruar 128 institucione jetike” në qytetet e banuara me shumicë serbe në Kosovë.

Po ashtu, ai propagandoi se në Kosovë ka “sulme të shpeshta me motive etnike”, pasi që pretendoi se që nga ardhja e Kurtit në pushtet “janë shënjestruar rreth 30 të rinj serb”. “Nëse je serb, askush nuk të mbron. Ky mohim sistematik i të drejtave themelore është një dështim i thellë moral”, shtoi.

Ai edhe e akuzoi Kurtin se po e saboton dialogun dhe se po e dëmton paktin dhe Marrëveshjen e Uashingtonit, të arritur në mandatin e parë të Presidentit amerikan, Donald Trump.

“Ai dëmton trashëgiminë e paqes së Presidentit Trump, duke nxitur konflikte në Ballkan”, deklaroi ai.

Ai edhe propagandoi se armatosja e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), rrezikon stabilitetin në rajon.

“Veprimtaria e tij, duke përfshirë edhe militarizimin e Kosovës, që rrezikon përshkallëzimin e tensioneve edhe sigurimi i droneve kamikaz për FSK-në rrëzon besimin rajonal dhe është në kundërthënie në paqen që ka kërkuar ky Këshill i Sigurimit”, shtoi.

Nga ana tjetër, Gjuriç propagandoi se gjoja Serbia “punon për stabilitetin”.

“Ne jemi kampion të stabilitetit, dialogut kundrejt mospajtimit, nuk pretendojmë asgjë të padrejtë vetëm mbrojmë të drejtat tona dhe popullin tonë”, potencoi.

Ai theksoi se “paqja duhet të ndërtohet mbi drejtësi, çdo revizionizëm duhet të ballafaqohet me një të vërtetë të palëkundur”, derisa kërkoi formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Kosova duhet të formojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, kjo nuk është dëshirë e Serbisë, është zotim i detyruar nga vetë Kosova, një gurthemel për të drejtat e sigurinë e serbëve”, shtoi.

Gjatë fjalës së tij, Gjuriç gjatë tërë kohës propagandoi gjoja për “përndjekje” të serbëve të Kosovës nga ana e institucioneve kosovare.