Profesori amerikan, Edward P. Joseph, e ka mohuar se ka deklaruar që Kosova mund ta shfuqizojë Ligjin për Gjykatën Speciale pa pasur nevojë për mbështetjen e dy të tretave të përfaqësuesve të serbëve të Kosovës, e cila u përdor nga disa faqe përkrahëse të Partisë Demokratike të Kosovës për të mbështetur Ligjin për Gjykatën Speciale.

Në një përgjigje për VOX Kosova, ai po ashtu tregoi se asnjëherë s’ka thënë se Kuvendi i Kosovës e ka zënë në kurth Specialen, dhe se prandaj është alarmuar Bashkimi Evropian.

Joseph theksoi se “nuk i kam bërë asnjërën nga këto deklarata” dhe se janë “tërësisht të fabrikuara dhe më janë atribuuar në mënyrë të rreme”.

“Do t’ju isha shumë mirënjohës nëse do të mund ta bënit të ditur publikisht këtë fakt”, tha ai për VOX-in.

Profesori amerikan, që është vëzhgues i kamotshëm i zhvillimeve në Kosovë, tha se ka folur për një media në Kosovë, por nuk e ka thënë asnjërën nga këto që iu atribuuan.

“Unë i dhashë një deklaratë të shkurtër Gazeta Express-it, e cila, të paktën fillimisht, ishte e saktë: se BE-ja ka gabuar duke i shprehur publikisht shqetësimet e saj lidhur me ligjin, ndërkohë që BE-ja nuk ka ndërmarrë asgjë përballë sfidimit të hapur të Serbisë, e cila e mbështeti shtetërisht ceremoninë mortore të kriminelit më të keq të luftës në Ballkan, Ratko Mlladiq. Gjithashtu, theksova se Dhomat e Specializuara nuk janë mbi kritikat, duke vënë në dukje dënimet joproporcionale të shqiptuara ndaj katër figurave të ish-UÇK-së”, tregoi ai.

Që disa ditë, në rrjetet sociale po shpërndahen nga njerëz të afërt me PDK-në, disa foto-lajme ku citohet profesori amerikan Edward Joseph.

“Nëse Gjykata Kushtetuese e Gjykatës Speciale e rrëzon Ligjin për Gjykatën Speciale, e që e rrëzon 100%, Kosovës i hapet mundësia që ta zhbëjë ligjin e vitit 2014, me të cilin është vendosur baza për krijimin e Gjykatës Speciale. Këtu nuk kërkohen 2/3 e serbëve. Prandaj është alarmuar BE-ja. Kuvendi i Kosovës ka vepruar me mençuri dhe e ka nxjerrë në kurth Gjykatën Speciale”, shkruhet në ato foto-lajme që paraqiten si deklarata të Joseph-it.

Ideja e këtyre është që të krijojnë rrejshëm argumente mbështetëse për Ligjin për Specialen, që u miratua nga Kuvendi të martën, i cili po konsiderohet si anti-kushtetues.