Ish-diplomati amerikan, James Rubin, ka folur për dëshminë e tij disa-ditore në Gjykatën Speciale në Hagë, në anën e mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi. Rubin në një intervistë për “TheAtlantic” ka thënë se narracioni i aktakuzës kundër “katërshes së madhe” të UÇK-së, sipas tij “është ndërtuar nga dokumente e deklarata propagandistike”. Siç shprehet ai, gjyqtarët në Speciale nuk po mbështeten në mbledhjen e provave, pasi që të tilla, “nuk ka dëgjuar” gjatë kohës së dëshmoi në Hagë.
“E respektoj edhe reputacionin tim. Nuk po bëj asgjë të veçantë për Hashim Thaçin. Po i tregoj gjykatës atë që e kam parë me sytë e mi. Dhe ja ku qëndron çështja: ata nuk kanë asnjë ide se si është të jesh në një zonë lufte. Nuk kanë asnjë ide se si ishin gjërat para 30 vitesh. Pra, ata po shikojnë dokumente, disa deklarata propagandistike, raporte të tjera nga disa gazetarë të caktuar, dhe po përpiqen të rindërtojnë diçka. Dhe unë do të doja që gjyqtarët të përqendroheshin në mbledhjen e provave, pra të fakteve të vërteta, prova që ai dhe bashkëpunëtorët e tij kanë planifikuar ndonjë krim lufte dhe pastaj kanë vepruar për ta zbatuar atë. Unë kurrë nuk kam dëgjuar për ndonjë provë të tillë kur isha atje”, tha Rubin.
Rubin shton se ideja e Speciales mund të qëndrojë tek strategjia “për të treguar drejtësi për të dyja palët”.
“Sepse mos harroni, shumë udhëheqës serbë janë dënuar, dhe kjo ka nxitur një kërkim, një kërkim të pafund për prova se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë diçka gabim”, shton.
Rubin në këtë intervistë ka folur edhe për protestat e organizuara së fundmi në Tiranë e në Prishtinë në mbrojtje të krerëve të UÇK-së që po akuzohen në Hagë.
“Ajo që bëjnë protestat është t’u kujtojnë gjyqtarëve se këta njerëz përfaqësonin miliona shqiptarë të Kosovës të shtypur, të cilët jetonin nën kërcënime të ngjashme me aparteidin, dhe shumë prej tyre u vranë. Dhe se ata ishin heronj”, thotë ai.
James Rubin ishte dëshmitari i parë i mbrojtjes së Hashim Thaçit në Gjykatën Speciale në Hagë. Ai dëshmoi për disa ditë rresht lidhur me përvojën e tij në Kosovë gjatë periudhës së luftës dhe pasluftës si dhe ndërveprimet që ka pasur me akterë të UÇK-së, e posaçërisht ish-presidentin Hashim Thaçi.









