Dy ambasadat e shteteve më të fuqishme evropiane në Prishtinë – gjermane dhe franceze – kanë reaguar ashpër në lidhje me mënyrën se si Lëvizja Vetëvendosje ka paraqitur në publik angazhimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në një operacion kërkim-shpëtimi në Ujman, pas miratimit të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Në reagimin e ambasadës gjermane thuhet se janë “thellësisht të shqetësuar” nga përpjekjet për të politizuar ndërhyrjen e FSK-së në operacionin e kërkim-shpëtimit për të gjetur trupin e një 33-vjeçari që vdiq në Ujman.
“Humbja tragjike e jetës së një të riu duhet të jetë një moment pikëllimi kolektiv, jo një rast për poena politike”, thuhet në reagimin e ambasadës gjermane.
Deklaratat e aktorëve politikë që e paraqesin këtë mision si “operacioni i parë i FSK-së në Veri të Kosovës”, sipas tyre, “keqinterpretojnë qëllimin dhe frymën e vendosjes”.
Ata janë shprehur të shqetësuar edhe për raportimet që tregojnë manipulimet me fotografi nga VV-ja, duke shmangur shoqërimin e KFOR-it.
“Po aq shqetësuese janë akuzat për imazhe të manipuluara – konkretisht, heqja e elementëve të dukshëm të shoqërimit të KFOR-it – për të promovuar një narrativë mashtruese. Veprime të tilla rrezikojnë të minojnë besimin e publikut dhe të shkëpusin vëmendjen nga fokusi humanitar i misionit”, potencohet.
Në të njëjtën linjë ishte edhe ambasadori francez, Oliver Guerot. Ai dënoi përpjekjet e VV-së për ta manipuluar opinionin publik, derisa potencoi se shteti që ai përfaqëson do t’i ofrojë mbështetjen e nevojshme KFOR-it “në një kontekst ku dezinformimi dhe manipulimi i informacionit po bëhen sistematike”.
“Po ashtu, i respektoj mediat që kanë raportuar saktë për rolin e KFOR-it në përpjekjet për gjetjen e trupit të personit të zhdukur nga Liqeni i Ujmanit”, shkroi në platformën X (ish-Twitter) Guerot.
Të martën, një njësit i FSK-së shkoi në Veri, pas mori dritën jeshile nga KFOR-i, në një operacion të kërkim-shpëtimit. Nga VV tentuan që ta paraqesin si diçka që ka ndodhur për herë të parë, por ka edhe raste të tjera kur FSK-ja ka shkuar në Veri.