Faruk Mujka dhe Hysen Muzliukaj janë deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzat për korrupsion të ngritura nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

Ata u paraqitën sot para gjyqtarëve, në seancën e parë në rastin e tyre.

Prokurorja e rastit, Iliriana Qollaku Tafa, tha se sipas aktakuzës, Mujka në cilësinë e nënkryetarit të Komunës së Mitrovicës, ndërsa Muzliukaj në cilësinë e drejtorit për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në atë komunë, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare lidhur me rastin e këmbimit të pronës së ish-Bankosit me pronë private.

Mujka akuzohet edhe për mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë, me arsyetimin se në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të “Ibër-Lepencit” nuk i kishte deklaruar 60 mijë e 50 eurot që i ishin sekuestruar në shtëpi.

Sipas aktakuzës, më 25 prill 2021, Mujka, duke vepruar në emër të kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Jugut, dhe Muzliukaj si drejtor për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, kishin paraqitur Kuvendit Komunal propozim-vendimin për këmbim të pronës së paluajtshme në rrugën “Afrim Zhitia” (ndërtesa e ish-Bankosit) me një pronë private në rrugën “Ali Zeneli”, në pronësi të personit fizik Besarta Isufi.

Në aktakuzë thuhet se të pandehurit e dinin që prona e ish-Bankosit nuk ishte pronë komunale, pasi për të ekzistonte një proces gjyqësor i iniciuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) dhe Ndërmarrja Shoqërore “Jugobanka” në Mitrovicë. Po ashtu, sipas dokumenteve, Kuvendi Komunal i Mitrovicës kishte marrë dy vendime për shpalljen me interes të posaçëm publik të objektit të ish-Bankosit, më 30 gusht 2012 dhe më 23 shkurt 2017, në bazë të të cilave ishte kërkuar që Bordit të AKP-së t’i bartet e drejta e shfrytëzimit, meqë prona nuk ishte komunale.

Prokuroria pretendon se Mujka dhe Muzliukaj kishin vepruar në kundërshtim me Ligjin për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës dhe me Rregulloren për përcaktimin e procedurave për këmbim të pronës komunale, duke i shkaktuar AKP-së dëm të konsiderueshëm financiar në vlerë prej 125 mijë e 100 euro.