Pas të dhënave të pasakta të paraqitura në ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, me autor Shkëlzen Gashin, është vënë në veprim Prokuroria Speciale.

Njësiti i Drejtorisë së Krimeve të Rënda të Policisë së Kosovës, me urdhëresë të PSRK-së, tashmë është duke bastisur shtëpinë e tij dhe duke intervistuar të dyshuarin, njoftoi Rron Gjinovci, bashkëpunëtor i Gashit.

Në fotografitë e urdhëresës së publikuara nga ai, shihet se urdhëresa e Prokurorisë Speciale është e kategorisë urgjente dhe thotë se “sipas provave materiale dhe raportimeve të publikuara në media nga ana e të dëmtuarve në masakrën e Dubravës dhe masakrat tjera të ndodhura në Kosovë, e po ashtu edhe nga raportimet e qytetarëve të cilët kanë qenë të dëmtuar dhe viktima të këtyre masakrave, Prokuroria Speciale ka hapur rast penal ndaj të dyshuarit Shkëlzen Gashi, i cili me veprimet e tij publike dyshohet se ka shkaktuar përçarje dhe mosdurim mes qytetarëve tanë, duke dëmtuar dhe ndryshuar të vërtetën e luftës çlirimtare në Kosovë, çka konsiderohet se me këto veprime ka përmbushur elementet e veprës penale ‘Nxitje e përçarjes dhe mosdurimit’ nga neni 141 i KPK-së.”

Autorizimi specifikon se njësiti i Krimeve të Rënda duhet të intervistojë të dyshuarin, në mënyrë që të vërtetohet burimi i “pavërtetave” të paraqitura në ekspozitë.