Prokuroria Speciale e Kosovës ka dorëzuar të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë aktakuzë ndaj 21 personave për dëbimin e popullsisë civile në Kosovë, në periudhën kohore janar-qershor 1999, gjatë luftës së fundit.
“21 të pandehurit duke ushtruar kontroll dhe autoritet efektiv mbi forcat e armatosura në zonat përkatëse në tërë territorin e Kosovës, kanë pasur dijeni se pjesëtarët e atyre forcave kanë kryer veprime të ndaluara rreptësishtë nga e drejta ndërkombëtare humanitare”, tha Prokurori i rastit Athde Dema në një konferencë për media.
Dema tha se të pandehurit kanë pasur dijeni për veprime të ndaluara nga e drejta ndërkombëtare humanitare.
“Këto veprime përfshijnë shkatërrimin sistematik të pronës civile, përfshirë djegien e shtëpive dhe infrastrukturës, sulmet e drejtpërdrejta ndaj civilëve dhe vendbanimeve të tyre, përndjekje dhe ndalime arbitrare për arsye etnike e që në fund kanë rezultuar me dëbim të detyruar masiv të popullsisë shqiptare nga Kosova drejt shteteve fqinje”.