Ish-kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, i akuzuar për “keqpërdorim të detyrës zyrtare” dhe për “zbulim të fshehtësisë zyrtare”, kishte dërguar referenca për projekte Dejona Mihalit, e cila zyrtarisht në Lëvizjen Vetëvendosje (VV) mban pozitën e Koordinatores së Komiteteve të kësaj partie.
Kështu ka deklaruar prokurorja e rastit, Fikrie Zejnullahu, gjatë seancës gjyqësore që është mbajtur këtë të enjte në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
“Edhe për komunikimet mes të akuzuarit Nagip Krasniqi dhe disa nga zyrtarët e partisë në pushtet, Vetëvendosje, në përgjithësi e në veçanti me Dejona Mihalin, si përfaqësuese e partisë dhe person jozyrtar, kishte komunikime të shpeshta. Jo vetëm kaq, por i akuzuari Krasniqi i dërgonte referenca dhe projekte, të cilat në mënyrë të kundërligjshme ishin të pajisura me autorizim nga i akuzuari, i cili jepte edhe opinione”, tha Zejnullahu.
Prokurorja Zejnullahu theksoi se gjatë gjykimit do të paraqiten prova, përfshirë biseda, komunikime dhe opinione, duke nënvizuar se këto prova do të dëshmojnë se KEK-u dhe Qeveria e Kosovës janë dëmtuar në vlerë prej 37 milionë eurosh.
Ndërkaq, gjatë fjalës hyrëse, Krasniqi është deklaruar i pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi të, duke e konsideruar aktakuzën ndaj tij si tendencioze.
“Me aktin e arrestimit tim dhe mbajtjen në paraburgim për pesë muaj, më është bërë një dënim pa u zhvilluar gjykimi. Ka me dhjetëra raste të tjera të aktakuzave ndaj zyrtarëve publikë për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe nuk ka pasur arrestime, gjë që tregon se çfarë tendencash ka pasur prokuroria në këtë rast”, potencoi Krasniqi.
Ndaj Krasniqit është ngritur edhe një aktakuzë tjetër nga Prokuroria Speciale për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Ai akuzohet se ia ka mundësuar kompanisë sllovene “Holding Slovenske Elektrarne” që të tregtojë energji elektrike në kundërshtim me ligjin, pra pa pasur licencë në Kosovë. Sipas Prokurorisë, dëmi që i është shkaktuar shtetit është 3.2 milionë euro.








