Mosfutja në rendin e ditës e propozimit të PDK-së për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara ka bërë që anëtarët e kësaj partie të largohen nga mbledhja e Komisionit për Legjislacion.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, e konsideroi joserioze mosfutjen e këtij projektligji në rendin e ditës, duke thënë se kjo është çështja më e rëndësishme që duhet të trajtohet nga Komisioni.
“Është tërësisht joserioze që të ftohet Komisioni për Legjislacion, të trajtojmë sot gjashtë pika të rendit të ditës e të mos jetë në shqyrtim ligji për Dhomat e Specializuara. PDK-ja konsideron që në këto rrethana nuk ka prioritet më të madh dhe nuk mund të simulojnë normalitet sot në këtë komision. Ne, bashkë me zotin Gruda, nuk do të qëndrojmë në mbledhjen e Komisionit, sepse, e thashë, është joserioze kjo qasje”, tha Deliu-Kodra.
Anëtari tjetër i PDK-së në këtë komision, Përparim Gruda, tha se në Hagë po përlyhet historia e vendit tonë.
“Ne nuk mund të lejojmë ata tre-katër gjyqtarë atje në Hagë me na përly historinë”, tha Gruda.
Për këtë qëndrim dha përkrahje edhe deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri.
Ndërkaq, anëtari i pushtetit në këtë komision, Adnan Rrustemi, tha se janë brenda afateve dhe se po presin opinionin e Qeverisë.









