“Autostrada Prishtinë – Gjilan po bëhet. Ajo do të hapet këtë vit. Urime!”, kështu shkruante Albin Kurti më 21 korrik 2023.
Por, kanë kaluar më shumë se dy vjet nga kjo deklaratë dhe autostrada nuk u hap – madje nuk ka as datë se kur do të hapet.
Ky premtim i Kurtit si kryeministër, që ishte pjesë e diskursit të fushatës së vitit 2021, vazhdon të mbetet i tillë – në listën e synimeve të tij për ta marrë edhe një mandat qeveritar.

Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, Kurti premtoi ndërtimin e autostradës Prishtinë – Gjilan, por kësaj radhe nuk dha date.
“Do të përfundojmë me ndërtimin e rrugës Prizren – Tetovë, autostradën Prishtinë – Gjilan me vazhdim deri te Dheu i Bardhë”, tha ai në njëfarë prezantimi programor për qeverinë e re në tentativë.
Ai u mandatua për Kryeministër, ani pse Kuvendi i Kosovës është nën një masë të përkohshme të vendosur nga Gjykata Kushtetuese deri më 30 shtator.
Kurti nuk e përmendi as autostradën Prishtinë – Podujevë, e cila po ashtu nuk ka përfunduar. Për mbylljen e punimeve të saj, ai pati dhënë një premtim gjatë fushatës së fundit elektorale.
Në një tubim në Podujevë, ai tha se ky projekt përfundon në pranverën e vitit 2025:
“Rruga Podujevë – Prishtinë përfundon në pranverën 2025. Kësaj pritjeje të gjatë po i vjen fundi sepse Qeveria jonë e mirë ka punuar edhe me problemet në shpronësime edhe me projektimet e këqija. Rruga kryhet përgjithmonë në pranverën e sivjetshme”, u shpreh Kurti.
Edhe një tjetër premtim i madh i Kurtit mbeti i parealizuar.
Rruga Prizren – Tetovë, e gjatë 30 kilometra, me një tunel prej 6 kilometrash, u tha në vitin 2021 se do të përfundonte pas dy-tre vitesh.
Madje, në një video fushate – që linte shumë për të dëshiruar për nga realizimi – bashkë me Mytaher Haskukën, kandidatin e VV-së për kryetar të Prizrenit në ato zgjedhje lokale, Kurti premtoi se rruga do të kryhej për dy-tre vite, shkruan VOX KOSOVA.
“Bashkë me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut jemi dakorduar që sivjet ta projektojmë rrugën, ndërkaq vitin e ardhshëm ta realizojmë atë në tërësi. Kismet, pas dy ose tri vitesh do të udhëtojmë së bashku prej Prizrenit në Tetovë, ashtu veç për kafe”, thoshte Kurti.
E dje, nuk tregoi se kur do të shkojë me Mytaherin për kafe në Tetovë, por e përmendi kalimthi si premtim të ardhshëm.
“Do të përfundojmë me ndërtimin e rrugës Prizren – Tetovë”, tha ai.
Në fushën e infrastrukturës, Kurti i bëri sërish projekte ato që më herët kishte premtuar se do të ishin përfunduar.
Në vitin 2021, ai premtoi se Kosova do të bëhej me objektin e Operës dhe Baletit.
“Kosova për herë të parë do të ketë ndërtesë të dinjitetshme për Operë dhe Balet”, pati thënë Kurti.
Por, as në vitin 2025 Kosova nuk e ka këtë ndërtesë. Tash, kreu i VV-së premton se do të ndërtohet në mandatin tjetër:
“Projektet e mëdha si Teatri i Operës dhe Baletit dhe Muzeu i Artit Bashkëkohor do të bëhen pika referimi globale”, deklaroi ai.
Edhe stadiumi nacional i futbollit mbeti vetëm në letër. Në vitin e premtoi ndërtimin e tij.
“Afër kryeqytetit do të ndërtojmë qendrën më të madhe multifunksionale, pjesë e së cilës do të jetë edhe stadiumi nacional”.
Por, as ky projekt nuk nisi. Në mbledhjen e fundit, ai e përmendi sërish, pa afate.
“Plani për infrastrukturën e futbollit duke përfshirë Stadiumin nacional…”, tha ai./VOXKOSOVA