Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka treguar se si rreth orës 17:10, të mërkurën, derisa po mbante test me studentët e nivelit master në Fakultetin Ekonomik, është ndalur rryma.

Bajrami tha se ua kishte marrë telefonat studentëve, por kur u ndal rryma, tregoi se ata i propozuan që ta përdornin telefonin e dikujt tjetër për ndriçim që kështu ta mbanin testin.

“Sonte, rreth orës 17:10, derisa po mbaja test me studentët e nivelit master në Fakultetin Ekonomik, u ndal rryma. Paraprakisht ua kisha marrë të gjithëve telefonat. Pas disa minutash pritjeje, studentët erdhën me një ide kreative: t’ua shpërndaja telefonat në mënyrë të rastësishme, që secili ta përdorte telefonin e dikujt tjetër vetëm për ndriçim, pa e zhbllokuar. Kështu vazhduam testin!”, shkroi Bajrami në Facebook.

Ajo shpërndau edhe fotografi nga provimi me studentë për të cilën tha se nuk është e pasluftës. “Është bërë para një ore me 18 nëntor 2026, në ‘Kosovën e progresit të paparë’!”.

Bajrami theksoi se “përtej humorit, Qeveria duhet të vijë urgjentisht në Kuvend me një plan konkret për kapacitete të reja gjeneruese”.

“Vetëm prodhimi vendor na shpëton nga kriza. Pas gati gjashtë vjetësh të humbura, nëse nuk veprojmë tash, as qytetarët e as Qeveria shumë shpejt nuk do të mund t’i përballojnë faturat e rrymës e reduktimet do na bëhen përditshmëri”, potencoi ajo.